Mbi 23 mijë të infektuar me COVID kanë marrë nga 50 dhe 100 euro nga Komuna e Prishtinës

Vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës ka filluar me ndarjen e ndihmës prej 50 eurove për të gjithë personat e infektuar me Covid-19 nën moshën 65 vejçare, ndërsa për ata më të moshuar nga 100 euro, ndihmë e cila po vazhdon ende, shkruan lajmi.net.

Nga Komuna e Prishtinës kanë bërë të ditur për lajmi.net se nga fillimi i ndarjes së kësaj ndihme, në fund të vitit të kaluar, vlera totale e rimbursuar është 1 milionë e 336 mijë e 120 euro.

Tejkalimi i milionit të parë të buxhetit të komunës për këtë ndihmë është bërë me ndarjen e saj për 23 mijë e 151 kryeqytetas.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi ka thënë për lajmi.net se deri tani për të marrë këtë ndihmë kanë aplikuar 33 mijë qytetarë.

Ai, ka shtuar se rimbursimi i qytetarëve bëhet vetëm njëherë, pavarësisht sa herë mund të ketë qenë i infektuar me Covid-19.

“Po e ripërsërisim edhe njëherë, nëse qytetari (edhe pse ka qenë i infektuar me Covid) nëse nuk është në listën e IKSHPK-së, ai nuk do të kompensohet. Çdo qytetar rimbursohet njëherë edhe nëse ka qenë i infektuar dy ose më shumë herë”, ka thënë Nushi.

Qytëtarët të cilët kanë vërtetuar infektimin me Covid-19 vetëm përmes testeve serologjike dhe antigjene të bëra në klinika private, nuk mund të gëzojnë këtë ndihmë.

Aktualisht në Prishtinë janë 1 mijë e 329 raste aktive me Covid-19.

Përveç Komunës së Prishtinës, ndihmë qytetarëve të infektuarve i kanë ndalë edhe komunat e tjera.