Mbi 100 zyrtarë të MPB-së të infektuar me koronavirus, katër nga kabineti i ministrit Veliut

Mbi 100 zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive që funksionojnë në kuadër të kësaj ministrie, kanë rezultuar deri tash pozitivë për COVID-19. 20 prej të infektuarve janë staf civil, katër zyrtarë nga Kabineti i Ministrit Veliu dhe 80 zyrtarë policorë, raporton Express.

Detaje rreth gjendjes së tyre kanë dhënë nga Zyra për Informim në MPB. Sipas këtij institucioni, gjendja e të infektuarve është stabile.

Thonë se përveç gjashtë zyrtarëve policorë që gjenden për trajtim në spital, të infektuarit e tjerë janë vetizoluar në shtëpitë e tyre.

“Deri me sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencitë e MPB-së, gjithsej janë të infektuar 104 zyrtarë me Covid -19, ku nga ta 20 zyrtar janë nga stafi civil, 4 zyrtarë nga kabineti i ministrit si dhe 80 janë zyrtarë policor. Sipas raportimeve gjendja e tyre është stabile ku të gjithë të infektuarit janë të vetë izoluar në shtëpitë e tyre, në përjashtim të 6 zyrtarëve policor që gjenden në spital për trajtim”, thuhet në përgjigjet e MPB’së drejtuar Gazetës Express.

Ndërkohë, edhe zyrtarët e tjerë të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit, gjenden në vetizolim, por nuk kanë ndonjë simptomë.

“MPB është e informuar se gjendja e tyre është stabile për momentin. Po ashtu, disa zyrtarë të cilët janë raste të kontaktit me persona e infektuar me COVID-19, janë në vetë izolim por pa simptome. Ju njoftojmë që MPB është duke punuar me staf esencial sipas rekomandimeve të IKSHPK-së”, kanë deklaruar nga ky institucion.

Ndryshe, dje janë konfirmuar 119 raste të reja me koronavirus në vend. Me këtë shifër, numri total i rasteve të konfirmuara që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 5 mijë e 237, me gjithsej 113 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.