Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka pritur në takim ministrin në detyrë të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ku është informuar lidhur me mbarëvajtjen e procesit mësimor në shkolla, përgatitjet për përmbylljen e vitit shkollor, organizimin e testit të maturës dhe testit të arritshmërisë, mënyrën e organizimit të mësimit online dhe çështjen e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të tyre studimore.
Ministri në detyrë, Ramë Likaj, theksoi se mbarëvajtja e procesit mësimor është duke u mbikëqyrur në vazhdimësi nga ana e inspektorëve të arsimit, në mënyrë që ky proces të realizohet sipas planit të MASH.
Ndër të tjera, është diskutuar lidhur me gjendjen e krijuar në arsimin para universitar të komunës së Kamenicës, si pasojë e mos vijimit të procesit mësimor nga nxënësit e disa shkollave.
Likaj e ka informuar Kryeministrin edhe rreth procesit të përmbushjes së obligimeve që ka Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për anëtarësim në ENQA, si dhe situatës së krijuar pas dorëheqjes së tre anëtarëve ndërkombëtarë dhe dy anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC).