Mbappe i gëzon tifozët, i gatshëm për ndeshjen e sontme

Real Madridi do të mundë të llogarisë në Kylian Mbappen sonte në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve.

Sulmuesi francez në fakt është përfshirë në listën e të ftuarve të listës së trajnerit Carlo Ancelotti për ndeshjen e sontme në derbin madrilen me Atletico Madridin.

Mediumi spanjoll “Marca” raporton se ish-futbollisti i Monacos dhe i Paris Saint-Germainit mund të jetë titullar sonte kundër “Los Colchoneros”, përcjell “Gazeta Express”.

Dje doli lajmi për një dhimbje që e ndiente lojtari në nyjën e këmbës pas lëndimit që e kishte pësuar kundër Rayo Vallecanos, i cili e kishte detyruar të punonte individualisht në pjesën e parë të ushtrimeve të djeshme.

Lojtari megjithatë do të monitorohet në orët në vazhdim dhe nëse nuk do të jetë në 100% të formës, nuk do të zbresë në fushë.

Ai do të bëjë gjithçka për të qenë në fushë duke e pasur parasysh se mezi po e pret këtë ndeshje, për t’i treguar vlerat e tij.

Vetë Mbappe është munduar t’i qetësojë tifozët duke e postuar një story në Instagram derisa shihet duke ushtruar me shokët e skuadrës.

Kanë mbetur edhe pak orë dhe do të kuptohet gjithçka.