Mbahet takimi i parë i Ekipit Punues për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës

Është mbajtur takimi i parë i Ekipit Punues i cili u themelua nga ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ky ekip është themeluar si rezultat i nevojës për një institut i cili do të mund të adresonte, më në fund, atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës. E dyta, do të mund të dokumentonte në mënyrë të përbashkët gjithashtu edhe dëmet që janë shkaktuar, shtetit si tërësi, personave por edhe ekonomisë.

Ekipit iu drejtua Kryeministri në detyrë Kurti dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë Haxhiu, të cilët e bënë hapjen zyrtare të takimit të parë.

Në takim, kjo nismë u përshëndet njëzëri dhe u tha që është momenti i fundit që të bëhej një gjë e tillë, e cila do të duhej të shërbente si ombrellë për të gjitha nismat e ngjashme që janë bërë deri tash.

U theksua gjithashtu nevoja e vendosjes së bazave të forta për krijimin e Institutit. Në momentin që bazat i vendosim të forta, atëherë u tha se puna e institutit, i cili do të themelohet më vonë, do të jetë shumë më e lehtë. Si i tillë, ai duhet të ketë një buxhet të caktuar që do të mund të siguronte një punë të vazhdueshme për njerëzit që do të ishin pjesë e tij, e të cilët duhet të jenë ekspertë të fushës, si dhe një buxhet që do të mund të siguronte hulumtues në terren më vonë.

“Askush nuk duhet të pretendojë që lehtësisht do të arrijmë të zgjidhim krejt problemet që janë shkaktuar që 21 vite. Ka me qenë e vështirë. Shumë e vështirë. Njerëzit janë të lodhur. Viktimat kanë humbur besimin në sistem. Gjeneratat besa po vdesin përditë dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës”, tha Kurti.

Ai theksoi se duhet të adresohen krejt ato që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Kemi më shumë se 13.000 persona të vrarë gjatë luftës së fundit. Mijëra persona të përdhunuar. Mijëra të burgosur e të torturuar. Kemi përjetuar dëme shkatërruese që asnjëherë nuk i kemi matur. Edhe sot, 21 vjet pas luftës nuk kemi një shifër që do të mund të na tregonte se cili është dëmi ekonomik që lufta i ka shkaktuar Kosovës”, theksoi kryeministri Kurti.