Pandemia e koroanvirusit ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e gjithë botës. Padyshim që kjo ka prekur dhe Kosovën, ku bizneset kanë pasur humbje të mëdha.
Rëndë janë dëmtuar edhe kompanitë e sigurimeve, por të cilat i kanë paguar pagat e punëtorëve, pavarësisht se të hyrat e policave kanë qenë të përgjysmuara.
Kështu ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku.
“Pandemia COVID-19 si çdo biznes tjetër privat ka dëmtuar rëndë edhe kompanitë e sigurimeve, pasi që ata kanë paguar pagat e punëtoreve si në muajt paraprak, kanë shpenzuar mjetet e njëjta për shpenzime operative si në muajt paraprak, deri sa në anën tjetër të hyrat nga shitja e policave kanë qenë deri në 50 % më pakë. Ne shpresojmë se shumë shpejt Kosova t’i kthehet jetës normale, pasi që nëse një dinamikë e tillë vazhdon edhe në muajt në vijim kompanitë e sigurimit do të vijnë në një situatë të rëndë financiare”, është shprehur ai.
Mazreku tregon se humbjet që kanë pësuar kompanitë janë shumë të mëdha, sipas BQK-së për muajin mars shitja e policave ka rënë në masë prej 50 për qind, por që humbjet janë duke vazhduar sepse jemi ende në pandemi.
“Humbjet pa dyshim se janë shumë të mëdha, por pasi që ne ende jemi në pandemi, humbjet janë duke vazhduar edhe më tutje, deri më tash nuk ka ndonjë shifër të saktë. Bazuar në të dhëna të BQK-së për muajin mars të këtij viti shihet se shitja e policave të sigurimit ka rënë në masë prej gati 50 %, ku kjo paraqet humbje direkt për kompani, deri sa humbjet tjera janë edhe nga kompensimi i madh i dëmeve të shkaktuara nga automjetet e paregjistruara të cilat janë në rritje të vazhdueshme. Pra, në momentin kur Kosova e kalon pandeminë në bazë të raporteve të secilës kompani, do të dihet saktë shuma e dëmeve (humbjeve) që COVID-19 i ka shkaktuar industrisë së sigurimeve në vendin tonë”, ka shpjeguar drejtori i Shoqatës.
Kompanitë kanë punuar vazhdimisht me orare të nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë, por numri i personave që kërkojnë shërbime është i vogël, pasi Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, për të cilat Mazreku thotë se ato duhet të hapen, sepse kompanitë rrezikohen nga një gjendje e rëndë financiare.
“Kompanitë kanë punuar në vazhdimësi në bazë të rekomandimeve dhe orareve të nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë. Kompanitë ofrojnë shërbime në vazhdimësi për qytetarët, por numri i atyre që kërkojnë shërbime është i vogël, pasi që edhe më tutje Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve vazhdojnë të jenë të mbyllura. Ne kemi kërkuar dhe prapë po kërkojmë që të hapen këto qendra pasi që nëse edhe më tutje vazhdon me një dinamike të tillë kompanitë e sigurimeve do të vijnë në një situatë të rëndë financiare”, ka theksuar Mazreku.
Për të ndihmuar punëtorët dhe bizneset, Qeveria e Kosovës ka ndarë dhe një pako emergjente për shkak të pandemisë, por në të nuk janë përfshirë edhe kompanitë e sigurimeve, që sipas drejtorit të Shoqatës së Sigurimeve, përfshirja e tyre në këtë pako do të lehtësonte sadopak gjendjen e tyre.
“Patjetër së duhet, pasi që kompanitë e sigurimeve kanë paguar pagat e punëtoreve edhe në momentin kur të hyrat e tyre kanë qenë thuajse zero. Përfshirja e industrisë në këtë pako sadopak do ta lehtësonte gjendjen e kompanive, kur dihet se numri i të punësuarve direkt dhe indirekt shkon në 5000”, thrkson Sami Mazreku.