MASHTI dhe DKA-të synojnë që mësimi të nisë më 27 shtator, vendimi pritet të merret deri në fundjavë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se synojnë që më 27 shtator të fillojë mësimi në shkolla dhe puna në çerdhe.

Nagavci në një prononcim për Telegrafin u shpreh se deri në fundjavë pritet të merret vendimi.

“Shumë mirë që po ulen numrat, e po besoj që kur të shqyrtohen masat do të mundësohet fillimi i vitit të ri shkollor me prezencë fizike, në bazë të udhëzuesit. Udhëzuesi i ka katër skenar, ku varësisht prej situatës nëpër komuna do të vendoset”, tha Nagavci.

Ajo shtoi se synimi është që të kthehen me mësim fizik në shkolla më 27 shtator, e po ashtu të hapen edhe çerdhet.

“Varet plotësisht prej rekomandimeve të IKSHPK-së, ashtu siç kemi vepruar deri më tash. Kanë qenë rekomandimet e IKSHPK-së. Do të rishqyrtohen masat, janë në fuqi deri më 26, do të shqyrtohen edhe njëherë, mandej edhe vendimi, unë pres që me qenë një vendim që e mundëson edhe mësimin”, tha Nagavci.

Ajo u shpreh se kanë takime të rregullta me drejtorët komunal të arsimit.

“Takimet i kemi të rregullta, dje kemi pasur takimin me Task Forcën dhe me DKA-të. Në Task Forcë përfshihen edhe përfaqësues të prindërve, komunave edhe SBASHK-u. Takimet janë të rregullta, ne kemi qenë gati, por rekomandimet e IKSHPK-së kanë qenë që me u pezullu”, tha Nagavci për Telegrafin.

Në anën tjetër kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi theksoi se komunat janë të gatshme dhe kërkojnë që fillimi i vitit të ri shkollor të fillojë më 27 shtator.

“Kjo u konkludua në takimin e kolegjiumit të drejtorëve të arsimit në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Çdo vendim për cilin skenar të zhvillimit të procesit mësimor do të merret nga Task Forca Komunale e Arsimit”, tha Ibrahimi për Telegrafin.

Ai u shpreh se sfidë do të mbetet zëvendësimi i mësimdhënësve shtatzëna dhe atyre me sëmundje kronike.

“Kërkohet që Qeveria e Kosovës të miratojë një buxhet shtesë që të hartohet lista për zëvendësimin e këtyre mësimdhënësve në mënyrë që mos të humbet mësimi”, tha Ibrahimi.