Ministria e Arsimit ka thënë të shtunën se janë procesuar pagesat për 130 mijë aplikues për subvencionim për blerjen e librave shkollorë.
Sipas njoftimit të MASHTI-t, deri tash në platformën “eKosova” janë pranuar 178 mijë aplikime, nga të cilat rreth 105 mijë për klasat I-V për tekste shkollore dhe materiale shkollore (nga 80 euro) dhe 73 mijë aplikime nga prindërit e klasave prej VI-IX, që kanë aplikuar për mbështetje për materiale shkollore (nga 30 euro). Sipas një përllogaritjeje, nëse ndahen mjetet për këta 178 mijë aplikime, shifra totale tejkalon 10 milionë euroshin. Qeveria ka ndarë rreth 13 milionë euro për këtë proces.
Platforma do të jetë e hapur për aplikim deri në fund të muajit shtator, ka përsëritur Ministria.
MASHTI ka deklaruar se nuk ka marrë raportim nga Drejtoritë Komunale a Inspektorati për ndonjë shkollë që s’po mban mësim për shkak të mungesës së teksteve.
“Nga MAShTI janë procesuar për pagesë pas verifikimit 130,000 aplikantë dhe në fillim të javës së ardhshme do të procedohet pjesa tjetër. Kjo procedurë po vazhdon dhe të gjithë aplikantëve do të ju transferohen mjetet. Jemi në koordinim edhe me institucionet relevante që transferimi të bëhet në intervale sa më të shpejta kohore”, thuhet në njoftim.
Ministria po ashtu ka thënë se “procesi i furnizimit me tekste shkollore me këtë praktikë është shumë më i shpejtë sesa me praktikat e aplikuara në vitet e mëhershme”.
Sivjet, MASHTI ka vendosur të ndajë mjete që u ndahen prindërve e që ata të blejnë librat, në bazë të çmimeve për të cilat Ministria është marrë vesh me shtëpitë botuese. Arsyetimi ka qenë se në tenderët për furnizim me libra shkollorë, shtëpitë botuese kishin konkurruar me çmime më të larta se ato që i shesin nëpër librari. Vendimi ka nxitur debat në vend. Opozita madje e ka cilësuar dështim të menaxhimit dhe ka kërkuar shkarkimin e ministres Arbërie Nagavci.