Masat e reja kufizuese – rikthehen maskat në institucionet publike, hyrja në dasma vetëm me dëshmi për COVID-19

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar masat e reja kundër COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se bazuar në rritjen e rasteve me coronavirus, duhet aplikuar masa të reja kufizuese.

“Qeveria vendosi masa të reja, ashtu siç kemi paralajmëruar më parë për shkak se varianti delta ka qenë dominues në shtetet evropiane, përfshirja e këtij virusi në vendin tonë ka qenë e pashmangshme, dhe kërkojmë bashkëpunim nga qytetarët. Në mesin e masave të ndërmarra sot veçojmë:

Nga data 20 gusht deri më 10 shtator, hyrja në diskoteka, në ambientet ku mbahen ahengjet familjare, tubimet masive, festivale e tjera, të cilat kanë kapacitetet deri në 100 persona, lejohet vetëm nëse klientët kanë një dëshmi si certifikate të vaksinimit, testit PCR negativ, dëshmi së personi ka kaluar coronavirusin, ose rezultat pozitiv të antitrupave.

Nga data 20 gusht deri më 10 shtator, një nga dëshmitë cekura më lartë duhet të kenë bizneset që janë në kontakt me klientët.

Pas vendimit të sotëm, në institucionet publike ndalohet hyrja pa maska, dhe obligohet bartja e maskave në ato ambientet. Kjo është obligative”, deklaroi ai.

Vitia gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19.