Edhe pse gjenerata e pestë celulare, e njohur si 5G, ende nuk është shpërndarë në Kosovë, pala kosovare të premten nënshkroi një marrëveshje me Serbinë, ku dakordohej se “nuk do të përdoreshin pajisje 5G të furnizuara nga shitës të pabesueshëm, dhe të largoheshin nëse ato pajisje janë të pranishme”.
Pika e nëntë e marrëveshjes nuk specifikon se kush janë këta furnizues të pabesueshëm. Por për njohës të fushës së telekomunikacionit bëhet fjalë për kompanitë kineze “Huawei” dhe “ZTE”, të cilat furnizojnë vende të ndryshme të botës me teknologjinë 5G, e produktet e të cilave po apelohet vazhdimisht nga SHBA-ja që të refuzohen, raporton KOHA.
Blerim Rexha, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, thotë se një marrëveshje e tillë është shumë e mirë, sepse nga pajisjet kineze ka rrezik në siguri.
Rexha shton se operatorët kosovarë që ofrojnë shërbime telefonike duhet që ta përfillin marrëveshjen e nënshkruar në Washington dhe nëse kanë pajisje të tilla, gradualisht të bëjnë një plan të ndërrimit të tyre.
Se pajisjet e gjigandëve kinezë janë të rrezikshëm dhe ato mund të përdoren për spiunazh, përgjim apo sulme kibernetike, e thotë edhe eksperti i kibernetikës, Driart Elshani.
Elshani shton se me këtë marrëveshje probleme mund të ketë më shumë Serbia, e cila i ka vendosur celulat e para të rrjetit 5g të marra nga kompanitë kineze, gjë që mund të çojë në prishje të marrëdhënieve serbo-kineze.
KOHA ka dërguar pyetje edhe tek operatorët telefonikë që operojnë në Kosovë, sa i përket pikës për rrjetin 5G. Nga Telekomi i Kosovës kanë thënë se do ta respektojnë marrëveshjen, por që analizat do të tregojnë se si do t’i kyçen rrjetit 5G.
Që të dy operatorët telefonikë, edhe Vala, edhe IPKO, kishin filluar më 2014 dhe kishin arritur më 2015 të shtrinin në pjesën më të madhe të vendit rrjetin 4G.
Rrjeti 5G është i shtrirë në disa vende të botës, kurse gjatë vitit të ardhshëm atë planifikojnë ta lansojnë edhe vendet e Evropës Juglindore. Një pjesë e madhe e vendeve të shtyra nga presioni i SHBA-së, përfshirë edhe Britaninë e Madhe, i kanë larguar pajisjet e Huaweit.