Përfaqësuesja e Marokut ka fituar me rezultat 1-0 ndaj Portugalisë në ndeshjen çerekfinale të vlefshme për Kupën e Botës “Katar 2022”.
Maroku ka vazhduar me befasi duke fituar edhe ndaj Portugalisë në ndeshjen e zhvilluar në Al Thumama Stadium të Dohas.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të portugezëve, të cilët krijuan disa raste, por vetëm Maroku gjeti golin.
Goli i vetëm në këtë pjesën erdhi në minutën e 42-të dhe ishte Youssef En Nesyri, i cili shënoi një gol të bukur me kokë për 1-0.

Portugalia rastin më të mirë e pati në minutën e fundit të kësaj pjese, por goditja e fortë e Bruno Fernandes u ndal nga traversa.
Në pjesën e dytë, Fernando Santos kompletoi të gjitha zëvendësimet duke inkuadruar emra si Cristiano Ronaldo dhe Rafael Leao, ndërsa sulmet nuk i ndalen nga minuta e parë e kësaj pjese duke dominuar plotësisht.
Megjithatë, mbrojtja e Marokut ishte e pathyeshme duke mbuluar çdo hapësirë dhe duke ndalur çdo sulm dhe goditje të portugezëve deri në minutën e fundit.
Portugezët rrezikuan me anë të Goncalo Ramos (58’), Bruno (64’), Joao Felix (83’) dhe Cristiano Ronaldo (90+), por portieri Bono bëri disa pritje të jashtëzakonshme për t’ia mohuar golat.

Në shtesë, Maroku mbeti pa një lojtar, pasi Walid Cheddira mori dy të verdhë të shpejtë, por patën një rast ideal me anë të Zakaria Aboukhlal, i cili humbi i vetëm përball portierit dhe ndeshja u mbyll me rezultat 1-0.
Pas kësaj fitore, Maroku bëhet skuadra e tretë gjysmëfinaliste në Kupën e Botës dhe do të ndeshet e fituesin e takimit mes Anglisë dhe Francës.