Meta ka prezantuar veçoritë e reja të privatësisë për përdoruesit e WhatsApp.
Përdoruesit tani mund të kenë mundësi të largohen nga grupet e bisedave në heshtje, të kontrollojnë se kush mund ta sheh statusin e tyre online dhe të bllokojnë “screenshot-at” në mesazhet “View Once”.
Shefi ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg tha se kjo do të ndihmonte në mbajtjen e mesazheve në WhatsApp “po aq private dhe të sigurta sa biseda që bëhet ballë për ballë”.
BBC raporton se veçoritë e reja do të fillojnë të shfaqen këtë muaj, duke i nxjerrë ato në pah me një fushatë globale, duke filluar nga Mbretëria e Bashkuar, transmeton Telegrafi.
Aplikacioni i famshëm i mesazheve aktualisht si parazgjedhje i njofton të gjithë anëtarët e një grupi bisedash kur një prej tyre largohet ose hiqet nga grupi.
Dhe përderisa ka shumë mënyra për ta çaktivizuar këtë njoftim për shumë bisedat individuale në grup, opsioni për t’u larguar në heshtje nuk është në dispozicion për përdoruesit kur ata zgjedhin që të “dalin nga grupi” – dhe disa herë ato largime shkaktojnë siklet, turpërim ose dramë për ata që përpiqen që të largohen pa u vënë re.
Me ndryshimet e fundit, përdoruesit mund të largohen nga grupi pa i njoftuar përdoruesit e tjerë në grupin e bisedave, duke njoftuar në fakt vetëm administratorët e grupit.
Përditësimi i fundit do t’u ofrojë përdoruesve opsionin për të lejuar vetëm disa kontakte ose asnjë nga kontaktet që të shohin se kur janë aktivë në platformë, duke sjellë opsionet e statusit online në një linjë me cilësimet “last seen”.