Maradona kishte parë parajsën dhe ferrin

Legjenda e futbollit Diego Armando Maradona, që ka vdekur të mërkurën më pak se një muaj pas ditëlindjes së 60-të, është adhuruar si Zot për gjenialitetin e tij me top, por djajtë e tij gatisa e shkatërruan atë.

Maradona vdiq nga një sulm në zemër në shtëpinë e tij në periferi të Buenos Airesit, kanë konfirmuar persona të afërt me të.

Duke u ngritur në statusin e yllit nga një lagje e varfër në Buenos Aires për ta udhëhequr Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Boptës, Maradona ishte një storie suksesi në vendlindjen e tij dhe fitoi statusin e ikonës të bashkëkombasve të tij si Che Guevara e Evita Peron.

Një nga lojtarët më të talentuar në histori, kulmin Maradona e arriti kur si kapiten e udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Botërorin 1986, para se të pësonte rënie të cilat arritën pikën më të ulët në vitin 1994 kur u përjashtua nga Botërori për shkak të dopingut.

Vite të përdorimit të drogës, të ngrënies së tepërt dhe teprimit me alkool e cunguan një karrierë ylli dhe e ndryshuan pamjen e tij nga një atlet që mund të kalonte në formë sllallomi pa shumë telashe nëpër mbrojtjet e skuadrave te një person në mbipeshë i cili gatisa nuk vdiq nga problemet me zemër të shkaktuara nga kokaina në vitin 2000.

Por, ai e rigjeti veten dhe bëri një kthesë befasuese si seleksionues i përfaqësueses së Argjentinës, duke bindur menaxherët se me karizmën e tij dhe shpërthimin mund të inspirojë ekipet drejt fitores, ndonëse kishte mungesë të përvojës si trajner.

Një magjistar me top – i shpejt dhe me vizion të madh për lojë – Maradona konsiderohet një prej lojtarëve më të mirë që ka njohur futbolli, së bashku me brazilianin Pele.

Në Argjentinë, ai njihet si “El Dios” – Zoti – kryesisht një lojë me fjalë për shkak të numrit në fanellën e tij, atë dhjetë, “El Diez”.

Ai ishte më meritori për triumfin e Argjentinës në Botërorin 1986 në Meksikë, duke shënuar dy gola të famshëm në çerekfinale kundër Anglisë.

Goli i parë ishte famëkeq, të cilin e realizoi me dorë, ndërsa golin e dytë e realizoi duke kaluar gjysmën e skuadrës së Anglisë pasi mori topin nga gjysma e fushës. Shpesh ai gol njihet si goli i shekullit.

“Ishte pjesërisht nga dora e Zotit dhe pjesërisht nga koka e Maradonës”, kishte thënë ai për golin e parë të shënuar në fitoren 2:1 të Argjentinës.

Lindi më 30 nëntor të vitit 1960 në Buenos Aires, në lagjen e klasës punëtore Lanus. Ishte fëmiu i pestë nga tetë fëmijë sa ishin në familje. Babai i tij ishte punonjës fabrike. Maradona u rrit në qytetin e varfër Villa Fiorito.

Nëna e tij Dalma, e njohur për adhuruesit si “Dona Tota”, pa një yll të reflektuar në dysheme në kishë ku i biri i tij u pagëzua dhe imagjinoi një të ardhme të ndritshme si llogaritar.

Por, dashuria e Maradonës për futbollin ishte evidente që nga fillimi. Topin e parë e pati dhuratë si foshnjë dhe flinte me të.

I zbuluar nëpër futboll në rrugë nga vëzhguesit e klubit të elitës argjentinase Argentinos Juniors, Maradona debutoi në ligë në moshën 15-vjeçare.

Në moshën 17-vjeçare ai nuk u ftua te përfaqësuesja e Argjentinës që e fitoi Botërorin 1978. Në Botërorin 1982 në Spanjë, u eliminua në fazën grupore, duke pësuar nga Brazili, ndërsa pati dy stinorë të palumtur te Barcelona, ku u infektua me hepatit dhe pati edhe lëndime.

Por, erdhi çlirimi, dhe triumfi. Në vitin 1984, ai kaloi te Napoli për atëbotë kontratë rekorde prej 7.5 milionë dollarë. Maradona ndihmoi Napolin, që ishte autsajder, të fitonte dy herë titullin e Italisë – duke krijuar një bazë të re të tifozëve gjatë kësaj rruge.

Dhe, pas triumfit në Botërorin 1986 në Meksikë, ai po ashtu e udhëhoqi një përfaqësuese mesatare të Argjentinës drejt finales së dytë rresht në Botëror, asaj në Romë në vitin 1990.

Por, nga viti 1991, droga dhe alkooli nisën të merrnin kontrollin e jetës së tij.

Atë vit Maradona mori një suspendim prej 15 muajve nga futbolli për doping dhe u ftua në seancë gjyqësore në Napoli për lidhjet e tij pretenduara me organizatat e krimit.

Ai u suspendua për 15 muaj pas testimit pozitiv për drogë në Botërorin 1994 në SHBA.

Sulmuesi i gjatë 165 centimetra e me flokë të zeza kaqurrele, ishte bërë i njohur edhe për konfrontimet e tij me gazetarëat dhe kritikët.

Gjatë viteve ai ka reflektuar publikisht në madhështinë e tij dhe në pikat e dobëta, duke publikuar libra me foto dhe deklarata për veten e duke organizuar edhe emisione televizive.
“Futbolli është sporti më i bukur dhe më i shëndetshëm në botë. Futbolli nuk duhet të paguajë për gabimet e mia. Nuk është faji i topit”, kishte thënë Maradona.

Ai u pensionua nga futbolli profesionist në vitin 1997 dhe pasi ishte afër vdekjes në vitin 2000, ai iu nënshtrua një rehabilitimi ndaj varësisë së drogës – duke vizituar Kubën nga viti 2000 deri më 2005, ku kaloi shpesh kohë me Fidel Castron. Ai kishte tatuazh të liderit të Kubës në këmbën e tij – dhe një të revolucionarit Che Guevera në dorë.

Për shumë, mëkatet e tij jashtë fushës kanë lënë në fushë gjenialitetin e tij që kishte me top.

“Dyshimi im kryesor është nëse ai ka mjaftueshëm madhështi si person për të justifikuar nderimin nga audienca botërore”, ka thënë Pele, pasi në një votim në vitin 2000 Maradonës iu dha çmimi nga FIFA i lojtarit të shekullit, duke lënë Pelen në vend të dytë.

Mediumet argjentinase kanë qenë të obsesionuar për personalitetin e Maradonës. Pati shkrime të thata në vitin 2005 për një operacion në stomak ku humbi peshë dhe u hospitalizua në vitin 2007 me hepatit të shkaktuar nga alkooli.

Ekspertët e drogës dhe alkoolit e quajtën abuzimin e Maradonës her me njërën e herë me tjetrën substancë si vetëvrasje në “slow-motion”.

Por, Maradona u pastrua dhe u kthye. Në vitin 2008 ai arriti që të marrë drejtimin e përfaqësueses së Argjentinës.

Shumë argjentinas dyshonin se ai mund të bindë një skuadër të talentuar të vepronin si njësi, dhe duket se e kishin të justifikuar këtë kur skuadra mezi arriti të kualifikohej në Botërorin 2010 në Afrikë të Jugut, e u eliminua më pas në çerekfinale të kësaj ngjarje.

Pasuan periudha si trajner në Emirate të Bashkuara Arabe e më pas edhe te klubi i kategorisë së dytë të Meksikës, Dorados de Sinaloa, para se të kthehej në Argjentinë për të marrë drejtimin e Gimnasia y Esgrima në La Plata në vitin 2019.

Maradona kurrë nuk ishte larg ballinave.

Gjatë pushimit të tij në Itali, autoritetet tatimore ia konfiskuan vathët e diamantit për shkak të borxheve në taksa që kishte. Në vitin 2010 ai u dërgua me nxitim në spital në mesin e natës për një operacion pasi një nga qentë e tij e kishte kafshuar në ije.

Gjunjtë i shkaktonin dhembje të vazhdueshme, ndërsa shkaku i mbipeshës humbi edhe shpejtësia e famshme e tij.

Por ai vazhdonte të ishte i adhuruar. Nga Kina e në Evropë, argjentinasi gjente shokë vetëm duke e përmendur emrin e vet.

Disa krijuan Kisha Maradoniane, të kompletuara me imazhe të tij dhe me dhjetë urdhëresa, një prej të cilave ishte, ‘Bëje emrin tënd të mesëm Diego dhe emërtoje të birin e tënd Diego”.

Maradona ishte një antidot i trazirave për Argjentinën, pasi kishte pësuar kriza të njëpasnjëshme ekonomike dhe humbje poshtëruese ndaj Anglisë pas konfliktit të vitit 1982 në Falklands, apo Ishujt Malvinas.

“Në mendjen tonë kolektive Diego Maradona paraqet një të kaluar të lavdishme, është simbol i asaj se çfarë kemi mundur të jemi”, ka thënë profesori i njohur kulturor në Universitetin e Buenos Airesit dhe ekspert për çështjen e Maradonës, Pablo Alabarces.
“Atij gjithmonë do t’i falet”, ka thënë adhuruesi i Maradonës, Marcelo Pose, një avokat në Buenos Aires.