Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të mërkurën i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për përbërjen e re të Kuvendit.
Këto janë zgjedhjet e dhjeta parlamentare dhe të parat në kushte të pandemisë me protokolle të veçanta shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi i ri që shkakton sëmundjen COVID-19.
Të drejtë vote kanë 1.814,263 shtetas të cilët do të zgjedhin 120 deputetët e Kuvendit Republikan, apo nga 20 në çdonjërin nga gjashtë njësitë zgjedhore, sipas sistemit proporcional me lista të mbyllura.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 dhe do të mbyllet në orën 21:00, apo dy orë më shumë se në ciklet e kaluara zgjedhore për shkak të vlerësimit se procesi mund të jetë i ngadaltë andaj edhe është zgjatur për t’i mundësuar qytetarëve realizimin e të drejtës së zgjedhjes.
Votuesit në pikat e votimit nuk lejohen të futen pa maska dhe dezinfektim të duarve, ndërsa me maska janë edhe anëtarët e këshillave votues.
“I bëj thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë dhe të jenë të sigurt se të gjitha kushtet janë krijuar për votim të sigurt, para se gjithash për shëndetin e tyre dhe atë tjerëve që janë të kyçur në organizimin e këtij procesi zgjedhor. Duhet vetëm se të respektohen procedurat dhe protokollet e institucioneve shëndetësore dhe gjithçka do të jetë në rregull”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.
Në garë për të fituar ulëse në përbërjen e re parlamentare janë 1,578 kandidatë të 15 partive politike dhe koalicioneve, por beteja kryesore zhvillohet mes dy partive maqedonase, LSDM-së së ish-kryeministrit, Zoran Zaev dhe partisë më të madhe opozitare VMRO DPMNE që drejtohet nga Hristijan Mickovski si dhe dy partive shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit dhe koalicioni Aleanca-Alternativa që drejtohet nga Zijadin Sela.
Në këto zgjedhje për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, u krijua një koalicion parazgjedhor midis një partie maqedonase dhe një partie nga blloku shqiptar. LSDM dhe Lëvizja Besa garojnë së bashku në këto zgjedhje.
Fushata zgjedhore u shënua nga premtimet ekonomike për paga dhe pensione më të larta, projekte të infrastrukturës si dhe mesazhe nacionaliste dhe lëshim pothuajse të përditshëm të regjistrimeve të paligjshme audio dhe video, në të cilat aktorët politikë dyshoheshin se ishin kapur në biseda të dyshimta për krim dhe korrupsion. Akuzat janë zhvilluar kryesisht mes VMRO-së dhe LSDM-së.
Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje doli me idenë e një kryeministri të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut ndërsa opozita shqiptare me moton “Tash është koha për ndryshim”.
Procesin zgjedhor po mbikëqyret nga 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 të huaj. Për zgjedhjet, përveç gazetarëve të akredituar vendor, po raportojnë edhe 55 media ndërkombëtare.
Ministria e Punëve të Brendshme, ka angazhuar rreth 6 mijë forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Sipas Kodit Penal, çdo keqpërdorim apo manipulim i procesit zgjedhor, si blerja e votave, presioni ndaj votuesve, votimi familjar dhe fotografimi i votës, paraqesin vepra penale dhe dënohen nga 3,5 dhe deri në 15 vite burg.
Zgjedhjet duhej të mbaheshin më 12 prill, por ato u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe deri në mbajtjen e zgjedhjeve vendi është drejtuar nga një qeveri teknike, pjesë e së cilës ka qenë edhe opozita maqedonase.
Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin paralajmëruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, që në dhjetor të vitit 2019 pasi ky vend arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut. /Rel/