Manchester City e fiton gjysmëfinalen e parë me përmbysje kundër PSG-së

Manchester City e ka fituar me përmbysje ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër PSG-së në Ligën e Kampionëve.

Skuadra angleze ka triumfuar si mysafire e ekipit francez me rezultat 2:1. Anglezët u kthyen në lojë në pjesën e dytë, pasi në të parën ishin francezët që avancuan.

Parisienët kaluan në epërsi në minutën e 15-të me golin që e shënoi Marquinhos. Ai realizoi me kokë pas harkimit të bukur të Angel Di Marias nga këndi.

Rikthimi i Cityt ndodhi në pjesën e dytë, ku shënoi dy gola për të fituar ndeshjen.

Së pari Kevin De Bruyne barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 64-t.

Kurse golin e dytë dhe të fitores për ekipin e trajnerit Pep Guardiola e realizoi Riyad Mahrez në minutën e 71-të.

Nga minuta e 77-të, Parisi është me një lojtar më pak në fushë, pasi Idrissa Gueye u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së ashpër në Ilkay Gundoganin.

Ndeshja e kthimit luhet me 4 maj në stadiumin “Etihad” në Manchester, aty ku edhe do të përcaktohet skuadra që do të kalojë në finale.