Mafia energjetike e mundi Kosovën

“Maqedonia e Veriut po planifikon të blejë tre milion ton linjit nga Kosova për termocentralet e saj për tre vitet e ardhshme”.

Kështu ditë më parë ishte deklaruar Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, gjatë një interviste për mediumin maqedonas Alsat, duke bërë të ditur se mungesa e prodhimit të qymyrit dhe rritja e çmimeve të energjisë elektrike në Evropë kanë bërë që vendi i tij të përballet me një krizë energjetike.

Megjithatë Maqedonia e Veriut nuk është e vetmja që po përballet me një krizë energjetike, me këtë problematik po ballafaqohet edhe Kosova.

Kreshnik Bekteshi

Javë më parë në një prononcim për Albanian Post, njohësi i çështjeve të sistemeve energjetike në Balkan Green Foundation, Besfort Kosova, kishte thënë se rritja e çmimit të energjisë në Kosovë është e pashmangshme.

Kjo pasi sipas tij Korporata Energjetik e Kosovës (KEK), nuk është në gjendje ta mbulojë tregun vendor me energji elektrike, prandaj duhet të importojë rrymë nga jashtë.

Ndërsa për profesorin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu, në një kohë të krizës energjetike ku Kosova ka mungesë të prodhimit të energjisë nga thëngjilli, eksportimi i tij në shtetet fqinje është një absurditet në vete.

Sipas Gërxhaliut, Kosova është shndërruar në një “hapësirë eksperimentale” dhe se sektorin e energjisë në Kosovë janë duke e drejtuar siç e quan ai “Mafia Energjetike” e cila po bashkëpunon me qarqet politike në Kosovë.

Për Gërxhaliun e tërë kjo fenomen është duke e goditur Kosovën si në aspektin ekonomik ashtu edhe në aspektin gjeostrategjik, por mbi të gjitha në aspektin social.

Safet Gërxhaliu

“Në Kosovë betejën energjetike e fitoi mafia energjetike e Ballkanit e lidhur nga Londra, Banja Luka, Beogradi dhe Tirana. Kosova në vend se të jetë shoqëri eksportuese e energjisë elektrike fal resurseve natyror që ka, ajo tashmë është një shoqëri e varura nga importi i thëngjillit”, ka thënë Gërxhaliu për AP.

Sipas tij eksporti i thëngjillit nga Kosova drejtë Maqedonisë së Veriut dhe në Serbi nuk është ndalur kurrë dhe se shumë procese në këtë drejtim po kryhen pa transparencë dhe pa llogaridhënie.

“Analizat e bëra në vitet e 70’ta kanë treguar që Kosova duhet të ketë të paktën 3 mijë e 100 deri në 3 mijë e 500 megavat orë energji të prodhuar, mirëpo kjo nuk është e mundur pasi që thëngjilli i Kosovës shitet në Mal të Zi në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, e Kosova importon energji elektrike”, ka përfunduar ai. /Albanianpost.com/