Deputeti nga PDK-ja Mërgim Lushtaku i është drejtuar si “Sherife Osmani” kryeparlamentares duke iu referuar thënies së saj të djeshme “there’s a new sheriff in town”.
Osmani i është kundërpërgjigjur duke thënë se kjo thënie përdoret gjerësisht në Amerikë kur është fjala për ndonjë ndryshim në udhëheqje dhe s’ka të bëjë me polici, njofton Klan Kosova.
Ajo gjithashtu i tha Lushtakut se me këtë emërim i ka ofenduar të gjitha ato gra në Kosovë që mbajnë emrin “Sherife”.
“Fjalët dhe ofendimet që i thoni nuk më lënë përshtypje, tentoni t’i thoni por nuk marr si të tilla. Duke tentuar të më ofendoni mua me një emër të ri, duke tentuar që emrin sherife ta paraqitni si diçka të keqe, mos harroni se motra dhe nëna e dikujt e ka këtë emër. Mund ta kenë dëgjuar sot dhe të janë ndjerë të ofenduara”.
“Unë do të prisja diçka të tillë nga gjenerata më të vjetra, por jo nga mosha juaj. Mësoni pak diçka nga Amerika që thirreni vazhdimisht në. Nuk është mirë me mbet me filma kauboj”.
Osmani tha se edhe kur dy presidentët amerikanë, Barack Obama dhe Donald Trump, erdhën në pushtet u përdor e njëjta fjali në mënyrë figurative për të treguar se është ndryshuar diçka në udhëheqje.
““There’s a new sheriff in town” përdoret edhe si gjuhë institucionale dhe mund ta gjeni edhe në arkivat e Shtëpisë së Bardhë. Është një autoritet i ri që sjell ndryshim. S’ka të bëjë me polici dhe as me sherif. Ka ndryshim që s’po mund ta përballoni. S’është mirë me u thirrë çdo ditë në Amerikë dhe mos të dini asgjë nga vlerat amerikane”.
“Ditën kur u zgjedh Obama presidenti, Joe Biden i shkruan email-at me një titull: “There’s a new sheriff in town”. Kur Trump u zgjedh presidenti, këshilltarja e tij del dhe e prezanton me të njëjtat fjalë”.
Ndërkaq, Lushtaku në replikën e tij tha se s’ka pasë qëllim ta ofendojë, por vetëm se ka përdorur fjalët e njëjta që përdori Osmani dje.
“Je mësuar të viktimizohuni. Vetë e ka quajtur veten sherif dhe në emër të respektit të jam drejtuar. S’kam tentuar asnjëherë të ofendoj. Unë vetëm u bazova në fjalët tuaja. Viktimizimi nuk të bën mirë”.