Kosova ka zhvilluar një ndeshje të jashtëzakonshme në “Fadil Vokrri” kundër Qipros duke triumfuar me rezultat 5-1 në sfidën e vlefshme për Grupin 2 në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Dardanët kishin nevojë për një pikë që të shmangnin rënien në Ligën D, ndërsa objektivin e arritën në mënyrën më të bukur të mundshme.
Pas rasteve të shumta, seria e golave filloi në minutën e 22-të. Florent Hadërgjonaj harkoi nga ana e djathtë, ndërsa topi u devijua me kokë nga një lojtar qipriot. Mirëpo, vetëm sa për të arritur në këmbët e Florent Muslijës, i cili realizoi një gol shumë të bukur.
Në fund të pjesës së parë, Kosova e realizoi edhe golin e dytë ndaj Qipros në stadiumin “Fadil Vokrri’. Vedat Muriqi asistoi te Donat Rrudhani, i cili krijoi hapësirë dhe shënoi (45’).
Kombinime nga Bersant Celina dhe Muriqi, ky i fundit e godet shtyllën, ndërsa Elbasan Rashani ishte në vendin e duhur për të shënuar (47’).
Nuk mund të mungonte goli i Vedat Muriqit! Sulmuesi shtatlartë pranoi një top nga Muslija dhe e plotësoi listën e golave të bukur në këtë mbrëmje (52’).
Pas golit të katërt, ra intensiteti i lojës dhe mysafirët ia dolën ta shënonin golin e nderit përmes Valentin Roberge (81’).
Megjithatë, kapiteni Muriqi nuk u ndal. Ai ë shfrytëzoi një harkim të bukur nga Milot Rashica për ta realizuar me kokë golin e dytë personal dhe të pestin në këtë sfidë (84′).
Nga gjashtë ndeshje të zhvilluara, Kosova ka regjistruar tri fitore dhe po aq humbje, ashtu që me nëntë pikë të grumbulluara pozicionohet në vendin e dytë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve. /Telegrafi/