Lulzim Hetemi, 70 ditë brenda komunës e larg familjes – çka thotë vëllai i tij


Teksa po ndërmerren veprime në drejtim të shtensionimit të situatës në veri të vendit, në objektin e komunës së Leposaviqit tash e 70 ditë po qëndron kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi.

Deri më tani ai nuk është deklaruar për media për qëndrimin e tij në objektin komunal, ndërkohë që familjarë të tij kanë thënë për RTK-në se nga kontaktet që kanë, ai po vazhdon punën me mundësitë e tij.

Më 26 maj ai u nis nga shtëpia e tij për t’u futur në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit, ku edhe e mori zyrtarisht detyrën.

As ai, por as familjarët e tij, atë ditë nuk e kishin menduar se nuk do të shihen për më shumë se dy muaj.

“Dikush prej familjes pa e kontaktuar të paktën një herë në ditë nuk bëhet. Ai është mirë dhe po punon në ato mundësitë e tij aty. Edhe gjendja shëndetësore e tij është e mirë. Kushtet elementare i ka, si për nga ushqimi ashtu edhe nga ana higjienike, pasi objekti i përmbush të gjitha kërkesat”, tha për RTK-në, Bashkim Hetemi, vëllai i kryetarit të Leposaviqit.

Bashkimi tregon se familja e ngushtë e kryetarit aktualisht jeton në Mitrovicë, për shkak të shkollimit të fëmijëve, teksa shton se mosprezenca e vëllait të tij në shtëpi është një mungesë e madhe për familjen.

“Ndonjëherë janë disa situata që duhet të sakrifikosh. Normal që vërehet mungesa e tij, sepse u bënë që 2 muaj që ai është brenda në objektin e komunës. Fëmijët e tij janë të gjithë në shkollë dhe gjatë procesit mësimor vijojnë mësimin në qytetin e Mitrovicës. Brenda mundësive edhe ne kujdesemi për ta dhe për familjen, por normal që ju mungon”, ka shtuar Bashkim Hetemi.

Ai dhe e gjithë familja Hetemi e presin me padurim rikthimin e tij, por presin që edhe situata në veri të vendit të normalizohet një ditë.