Mikrobiologu Lul Raka është zgjedhur kryesues i Bordit Këshillëdhënës për luftën kundër COVID-19.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi në Facebook.
“Themelova Bordin Këshillëdhënës për Luftën Kundër Covid19, me prof. Dr. Lul Rakën kryesues. Një elitë mjekësh, studiuesish, shkencëtarësh dhe figurash profesioniste me profil të lartë të fushave të ndryshme do të përbëjnë këtë bord prej njëmbëdhjetë anëtarësh. Këta vijnë nga fusha të ndryshme si: epidemiologjia, mikrobiologjia, praktika klinike, shëndetësia publike, shkenca e sjelljes, menaxhimi i krizave, mbrojtja civile, komunikimi, ekspertë vendor dhe ndërkombëtar”, ka shkruar Zemaj.
Zemaj thotë se bordi do të jetë organ profesional këshillimor për Ministrinë e Shëndetësisë.
“Do t’i ofrojë Ministrisë së Shëndetësisë këshilla të shpejta profesionale, me azhurnime të risive shkencore, opinione, parashikime, formulime të masave të reagimit, identifikim të mangësive për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e Covid19, rekomandime të masave dhe politikave për adresimin dhe zvogëlimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të Covid19”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka shtuar se të gjitha propozimet nga ky bord do të vlerësohen dhe rekomandohen edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike/ IKSHP sipas legjislacionit në fuqi.