Lul Raka: Kosova ende s’e ka kaluar fazën e parë të koronavirusit

Ka shkuar në 10 mijë e 247 numri i të infektuarve me koronavirus anembanë Kosovës.

Si pasojë e përhapjes së madhe të këtij virusi deri më sot humbën jetën 327 persona.

Mikrobiologu Lul Raka ka deklaruar se situata epidemiologjike në vendin tonë ka pësuar një përkeqësim gjatë muajit të fundit.

“Situata epidemiologjike në vendin tonë ka pësuar një përkeqësim në muajin e fundit, duke u radhitur ndër vendet me incidencën më të lartë në Evropë”, tha ai.

Sipas Rakës Kosova nuk ka dalë fare nga faza e parë e këtij virusi, pasi nuk pati një periudhë prej 28 ditësh pa asnjë rast të konfirmuar.

Madje Raka deklaroi se pak shtete në botë e kanë arritur këtë nivel gjatë pandemisë (shembulli i Malit të Zi).

“Ne kemi pasur valë goditëse në fillim të pandemisë dhe pas lirimit të masave. Kjo do të zgjasë deri në vaksinë me përkeqësim tjetër eventual gjatë sezonit të gripit stinor”, shtoi Raka.

Sipas mikrobiologut Raka janë dy faktorë kryesore që quan në rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë.

“Mosrespektimi i masave të thjeshta parandaluese nga qytetarët dhe mungesa e mbikëqyrjes dhe kontrollit rigoroz nga shteti”, tha Raka.

Sipas tij janë pikërisht këta faktorë që rezultuan më pas me mbingarkimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësorë në vend.

Në mënyrë që qytetarët dhe mbarë vendi në përgjithësi të dalë nga kjo situatë dhe të ulet numri i infektimeve, Raka tha se duhet zbatuar masat parandaluese nga qytetarët dhe të mbikëqyren ato nga shteti, madje me mbyllje të çdo biznesi që nuk respekton këto masa.

“Poashtu duhet punuar në rritjen e kapaciteteve të shtretërve nëpër spitalet e Kosovës si dhe të testimeve”, shtoi ai.

Raka porositi të gjithë që të mbajnë distancë kudo që ndodhen, të bartin maskën aty ku ka grumbullim të njerëzve dhe s’ka mundësi të distancës si dhe të mbahet higjiena e duarve.

“Një porosi tjetër me rëndësi është të shmangni çfarëdo vendi ku ka turmë njerëzish, sidomos në restorane dhe objekte të mbyllura. Këto ditë, pjesëmarrja në dasma, ditëlindje dhe të pame është rrezikim me vetëdije i shëndetit personal dhe familjar”, tha ai.

Mikrobiologu Raka deklaroi se nëse e ruani veten, keni ruajtur familjen tuaj, vendin e punës dhe Kosovën