Përderisa shumica e botës ka jetuar për javë të tëra nën kufizime të rrepta të shëndetit publik, Suedia ka luftuar pandeminë e koronavirusit duke mos imponuar izolim të detyrueshëm ose duke mos detyruar bizneset që të mbyllen.
Kufijtë e Suedisë kanë mbetur të hapur. Shkollat për fëmijë nën moshën 16 vjeç janë ende duke mbajtur mësim me fëmijë që shkojnë në klasë.
Baret, restorantet dhe kafenetë mund t’u shërbejnë klientëve për aq kohë sa “tavolinat janë të vendosura siç duhet për të shmangur tollovinë” dhe “njerëzit gjithmonë rrinë të ulur përderisa hanë dhe pinë”.
Floktarët, palestrat, studiot e jogas madje edhe kinematë vazhdojnë të funksionojnë.
Qytetarët janë këshilluar që të udhëtojnë vetëm kur është e nevojshme. Por, nuk ka kufizime në udhëtime masive.
Në thelb, strategjia e Suedisë kombinon një pjesë të vogël të kufizimeve të detyrueshme me rekomandime të hapura të distancimit social vullnetar.
Që nga 1 prilli, vizitat në shtëpitë e të moshuarve janë të ndaluara me arsyetimin se “të moshuarit duhet të mbrohen më shumë nga përhapja e virusit”.
Muzetë janë mbyllur, ngjarjet sportive dhe kulturore janë anuluar, si dhe tubimet publike me më shumë se 50 njerëz janë ndaluar.
Klasat në shkollat e mesme dhe në universitete janë mbyllur, edhe pse kurset vazhdojnë të ndiqen online. Por, krahasuar me shtetet e tjera, ndalesat e sistemit shëndetësorë të Suedisë ishin shumë më të relaksuara duke lejuar që shumica e njerëzve të dalin jashtë sipas rutinës së tyre të përditshme pa u përballur me masat e ndalimit ose me detyrim për të vendosur maska në publik.
Sidoqoftë, ministrja suedeze e Shëndetësisë Lena Hallengren, insiston që jeta në Suedi është në një gjendje të pandryshueshme pavarësisht koronavirusit.
Hallengren ka thënë për Radion Evropa e Lirë se strategjia e Suedisë ka të njëjtat synime si vendet e tjera. Ajo thotë se qëllimet janë të ngadalësojnë përhapjen e sëmundjes dhe të parandalojnë rrëzimin e sistemit të kujdesit shëndetësor duke mbrojtur më të prekurit, të moshuarit dhe ata me sëmundje ekzistuese.
Strategjia mbështetet në besimin se njerëzit në Suedi “do të marrin përgjegjësinë personale”, thotë Hallengren.
“Kryesisht është ndjekur shumë mirë nga suedezët. Ata janë shumë të përgjegjshëm,” thotë ajo.
“Ne jemi duke bashkëpunuar brenda vendit dhe popullsia suedeze është e mahnitshme dhe me të vërtetë po ndjek të dyja masat si ato ligjërisht të detyrueshme, por gjithashtu po marrin edhe përgjegjësi të madhe”, u shpreh ministrja Hallengren.
Në të vërtetë, rreth 30 për qind e fuqisë punëtore në vend po punon nga shtëpia dhe përdorimi i transportit publik është zvogëluar për 60 për qind thotë ministrja Hallengren.
Në planin afatgjatë, ministrja Hallengren thotë se qeveria suedeze shpreson që strategjia e saj me pak kufizime të jetë e qëndrueshme për muaj, sesa disa javë që mund të mbahet një izolim i plotë.
Edhe pse masat e qeverisë janë bërë të famshme në Suedi, jo të gjithë pajtohen se ato janë adekuate.
Në disa fotografi dhe video që së fundmi janë shfaqur në rrjetet sociale shihen baret dhe restorantet e mbushura gjithashtu edhe parqet në qendër të Stokholmit, dhe këto kanë ngritur shqetësim në Suedi dhe jashtë vendit për shkak se po krijohen rreziqe të panevojshme.
Më 26 prill, zyrtarët rajonal në Stokholm detyruan pesë restorante të mbyllen pasi inspektorët zbuluan se ata ishin të mbipopulluar dhe nuk zbatonin rregullat e distancës sociale. Të gjitha ato restorante më parë kishin marrë paralajmërime. Por, asnjëra nuk u gjobit dhe të gjitha do të lejohen të rihapen pasi të kalojnë inspektimin.
Në fund të marsit, rreth 2,000 studiues suedezë nënshkruan një peticion duke kërkuar nga qeveria “të ndërmarrë menjëherë hapa për të përmbushur rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit” për luftimin e koronavirusit.
Në mesin e personave që nënshkruan këtë peticion ishte edhe kryetari i fondacionit Nobel, Carl Henrik Heldin.
Peticioni bëri thirrje që Suedia të imponojë masa që kufizojnë ashpër kontaktin në mes të njerëzve dhe të rrisin aftësitë e sistemit shëndetësor publik për të testuar njerëzit nëse janë të infektuar apo jo.
“Këto masa duhet të bëhen sa më shpejtë që të jetë e mundur, siç po ndodhë në vendet tona fqinje evropiane”, kanë shkruar shkencëtarët suedez.
“Vendi ynë nuk duhet të jetë një përjashtim nga puna për të frenuar pandeminë”.
Pse Suedia po i reziston trendit evropian kundër koronavirusit?
Në peticionin e shkencëtarëve thuhej gjithashtu se “përpjekja për të krijuar imunitet të turmës, gjatë një epidemie të gripit, ka mbështetje të ulët shkencore”.
Shefi i epidemiologjisë Andres Tegnell ka mohuar se strategjia e Suedisë për “bashkëpunim vullnetar dhe përgjegjësi individuale” ka për qëllim krijimin e “imunitetit të turmës”. Në fakt shkencëtarët thonë se mbetet e paqartë nëse një person i infektuar që shërohet nga COVID-19 do të zhvillojë imunitet apo nëse mund të infektohet përsëri.
Nëë studim i fundit mjekësor në Suedi sugjeron që një e treta e 10 milionë njerëzve të Suedisë do të jenë të ekspozuar ndaj koronavirusit deri në fillim të majit.
I pyetur nga BBC nëse strategjia e Suedisë do ta ndihmojë atë t’i rezistojë një vale të dytë të mundshme të koronavirusit, Tegnell tha se “definitivisht do të ndikojë në shkallën e riprodhimit dhe do të ngadalësojë përhapjen”.
Por, ai thotë se nuk do të jetë e mjaftueshme për të arritur imunitetin e turmës.
“Ne dimë shumë pak për imunitetin e kësaj sëmundjeje, por shumica e ekspertëve në Suedi pajtohen që një lloj imuniteti do ta kemi patjetër sepse shumë njerëz që janë testuar deri më tani kanë prodhuar antitrupa,” tha Tegnell.
“Ne shpresojmë se kjo do ta bëjë më të lehtë për ne, planin afatgjatë”, u shpreh ai.
Gjithashtu Tegnell thotë se korniza ligjore në vend ishte ajo që e bëri të pamundur zbatimin e plotë të një izolimi që nga fillimi.
“Ne mund të instalojmë masa të kufizuara karantine, por nuk është juridikisht e mundshme të mbyllim qytete ose rajone- e lërë më të gjithë vendin,” tha Tegnell, së fundmi për faqen e internetit The Local.
Tegnell argumenton gjithashtu se shpërthimi i koronavirusit në Suedi është i krahasueshëm me vendet e tjera evropiane që kanë imponuar izolim të detyrueshëm.
Me pak më shumë se 19,621 raste të konfirmuara të koronavirusit më 29 prill dhe 2,355 vdekjeve në një popullsi prej 10 milionë njerëzve, infeksioni dhe vdekshmëria në Suedi është e krahasueshme me Irlandën- një vend që ka krijuar masa të rrepta të izolimit.
Por, në krahasim me Republikën Çeke- e cila pothuajse ka të njëjtin numër të popullësisë me Suedinë, por që ka masa të rrepta – bën që numrat suedez të duken disi të turpshëm. Çekët kanë regjistruar vetëm 7,504 infeksione dhe 227 vdekje që nga 29 prilli.
Sipas bazës së të dhënave globale të koronavirusit që mirëmbahet nga Universiteti Johns Hopkins, niveli i vdekjes në Suedi prej 23 për 100,000 njerëz llogaritet se është më mirë se në Belgjikë (64), Spanja (51), Italia (45), Franca (35), Mbretëria e Bashkuar (31) dhe Holanda (27).
Të gjitha këto vende evropiane të goditura rëndë kanë vendosur masa të detyrueshme të izolimit që përfshijnë mbylljen e shkollave dhe mbylljen e bizneseve.
“Kjo tregon se ne me të vërtetë jemi në gjendje të kufizojmë qarkullimin e COVID-19 në bazë të rekomandimeve”, thotë Tegnell.
Tegnell gjithashtu thotë se derisa qeveritë e tjera flasin për izolim, njerëzit në ato vende mund të shkojnë në punë dhe “të bëjnë gjëra të tjera” që mund të përhapin sëmundjen.
“Ne nuk kemi thënë që kemi një izolim, por unë mendoj se suedezët ndjehen se janë shumë të kufizuar”, thotë ai.
Por, derisa vendet evropiane të mbyllura kanë filluar të planifikojnë sesi të rihapin ekonomitë e tyre pasi të shohin që numri i infeksioneve të reja bie, ministrja e shëndetësisë së Suedisë e pranon se vendi i saj ndoshta ende nuk e ka arritur pikun e shpërthimit të sëmundjes.
“Unë nuk them se kemi pasur një pikë i cili ka kaluar”, ka thënë Hallengren për REL më 28 prill.
“Por në strategjinë suedeze është shumë e rëndësishme që të mund të rrafshojmë lakoren dhe të sigurohemi që kujdesi shëndetësor mund të përballojë të gjithë ata që kanë nevojë ose për kujdes shëndetësor ose për kujdes intensiv”, tha ministrja Hallengren.
“Suedia ka ende shtretër në dispozicion në spitalet e saj dhe vende brenda njësive të kujdesit intensiv për pacientët me koronavirus”, shtoi ministrja Hallengren.
Hallengren thotë se qeveria e Suedisë është “gjithmonë e përgatitur” për t’i bërë kufizimet e saj më të forta në të ardhmen – veçanërisht pasi legjislacioni i miratuar gjatë javës së parë të prillit zgjeroi autoritetin ligjor të qeverisë për të vendosur masa më të rrepta urgjente.
Me Stokholmin si epiqendrën e shpërthimit të koronavirusit në Suedi, Hallengren thotë se rajonet e tjera po marrin mësim nga situata në kryeqytetin e vendit.
Nëse ka një mësim që Suedia mund t’i ofrojë pjesës tjetër të botës për dështimet në strategjinë e saj, Hallengren thotë se është efekti shkatërrues që koronavirusi ka pasur nëpër shtëpitë e moshuarve në Suedi.
Rreth 86 për qind e vdekjeve në Suedi kanë qenë nga popullata e saj më e vjetra.
Hallengren thotë se kjo gjë “është shqetësuese”.
“Kur ju e merrni virusin nëpër ato shtëpi (të moshuarve), kjo me të vërtetë është e pafat, dhe nuk ka shumë mundësi për të ofruar kujdes, për fat të keq,” thotë ajo.