Miliarderi Elon Musk dhe Jeff Bezos kanë “luftuar” në Twitter, pasi që Musk ka vlerësuar se kompaninë e njeriut më të pasur në botë, Amazon duhet “thyer”.
Reagimi i Muskut pasoi pasi që shkrimtari Alex Berenson njoftoi se nuk i është mundësuar që në platformën më të madhe në botë të shitjes online, të jetë e qasshëm për blerje libri i tij më i ri për koronavirusin, transmeton Telegrafi.
“Është çmenduri. Është koha që të thyhet Amazon. Monopolet janë të gabuara”, ka shkruar Musk në Twitter duke e etiketuar pronarin e Amazon. Jeff Bezos.
Megjithatë Amazon ka komentuar postimin e Musk, duke njoftuar se libri i Berensonit ishte bllokuar gabimisht dhe se tani është i qasshëm për blerje përmes Kindle.
“Vendimi nëse duhet ta vendosim në shitje apo jo librin nuk i takon Musk”, kanë shtuar nga Amazon.
E gjykuar nga mesazhi që Amazon i kishte dërguar Berensonin, kompania e kishte njoftuar se libri i tij nuk përkon me standardet e shitjes.
Musk dhe Bezos konsiderohen si disa nga njerëzit më të pasur në SHBA, por edhe në botë. Sipas Forbes, Bezos, aktualisht është njeriu më i pasur në botë me një pasuri që kap vlerën e rreth 113 miliardë dollarë.
Gjithashtu Musk është anëtar i klubit të miliarderëve, ku pasuria e tij vlerësohet të jetë rreth 37 miliardë dollarë.
Por, kjo nuk është hera e parë që dyshja grinden sa i përket të arriturave të tyre.
Themeluesi i Tesla kishte deklaruar se Bezos si pronar i Amazon është shumë pas tij, në tentimin për të ndërtuar rrjetin e satelitëve të internetit, duke pretenduar se kompania e tij Star Link është themeluar 8 vite para asaj të Bezos – Blue Origin.