Kandidati për krytetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka prezantuar kandidatin e radhës për Asambe, njërin nga biznesmenët më të ri dhe më të suksesshëm të kryeqytetit, Luaras Meha.
Këtë e ka bërë të ditur vet Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Sot edhe zyrtarisht i bashkohet garës për Prishtinën Luaras Meha, një i ri që me biznesin e tij mban shumë familje, dhe njëherit e njeh mirë problematikën e gastronomisë, i njeh edhe nevojat që i kanë çiklistët e Prishtinës”, ka shkruar Daut Haradinaj.
Ai ka thënë se hapësira për përfaqësim do të jetë nga të gjitha profilet e shoqërisë sonë, ndërsa ekipi fitues çdo ditë po konsolidohet.
“Kryeqyteti ynë njihet botërisht për mbrëmjet e hareshme që e karakterizojnë. Zëri i gastronomëve të kryeqytetit do të jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme. Luarasi përpos që njihet si djali i neurokirurgut të parë në Kosovë, Dr. Shefqet Mehës njihet edhe për angazhimin e tij në krijimin e shoqatës së gastronomëve të vendit tonë. Ashtu siç kemi premtuar, hapësira për përfaqësim do të jetë nga të gjitha lëmitë e shoqërisë sonë, dhe se çdo ditë e më shumë po konsolidohet ekipi fitues! Suksese Luarasit dhe i priftë e mbara në këtë angazhim të ri!”, ka përfunduar Haradinaj.