Llapi dhe Drita në finale të Kupës së Kosovës

Llapi dhe Drita janë dy skuadrat finaliste të Kupës së Kosovës në futboll. Skuadra e Llapit ka arritur ta përmbysë epërsinë e Prishtinës nga ndeshja e parë (2:1), duke shënuar fitore me rezultat 2:0, në përballjen e tyre të dytë. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti”, i cili kësaj radhe ishte përplot me shikues në përkrahje të skuadrës llapjane. Golat për Llapin i shënuan Bianor Neto (59’) dhe Francisco Rivera (79’), derisa fitorja e vendasve ka mundur të jetë edhe më bindëse, por gjuajtjen e Arbnor Ramadanit (75’) nga pika e bardhë e priti Eglant Haxho. Kësisoj, Llapi për herë të dytë radhazi do të jetë në finale të Kupës, trofe të cilin vitin e kaluar e kishte fituar, duke e siguruar pjesëmarrjen në Evropë. Ndërkohë, Drita ka barazuar 2:2 në ndeshjen e kthimit në kryeqytet kundër Ramiz Sadikut, rezultat ky i cili i ka mjaftuar për të prekur finalen, ngase ndeshjen e parë e kishte fituar 3:0. Ramiz Sadiku arriti të krijojë epërsi prej dy golash nëpërmjet Armend Misinit (51’) nga penalltia dhe Granit Musës (66’), por në minutat e fundit të ndeshjes skuadra gjilanase shmangu befasinë, me golat e realizuar nga Ardit Tahiri (86’) e Almir Kryeziu (90’+3).