Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur “non grata” deri tani 4 figura publike shqiptare. Spikat në këtë listë ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha, për të cilin vendimi u publikua këtë të mërkurë.
“Sot, po shpall përcaktimin publik të shtetasit shqiptar Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë si i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë. Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetjake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat e përgjegjshmërisë. Me këtë përcaktim, unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë. Ky përcaktim, thotë deklarata, – bëhet në bazë të Rregullores 7031 (c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme dhe Programet Përkatëse të Financimeve, 2021. Përveç Berishës, përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën e DASH për Berishën dhe familjen e tij.
Lalla, i përfshirë në raste madhore korrupsioni
Departamenti i Shtetit i ndaloi në shkurt të 2018-ës hyrjen në SHBA ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjes së tij duke e akuzuar për korrupsion. Njoftimin e bëri publik në atë kohë sekretari i shtetit Rex Tillerson, ku theksohej se ky vendim merrej për shkak të përfshirjes së z. Llalla në korrupsion ose shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut.
Vendimi thekson se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni. “Ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht”, thuhet në deklaratën e DASH. Përveç Llallës, Sekretari Tillerson ka miratuar ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.
Gjatë periudhës që drejtoi organin e akuzës, Llalla është akuzuar se nuk ka vepruar kundër korrupsionit dhe është përplasur publikisht me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë për shkak të pozicioneve mbi reformën në drejtësi. Duke folur në një konferencë të shoqërisë civile në shkurt 2017, ambasadori amerikan Donald Lu, e akuzoi publikisht Llallën se po pengonte reformën.
Pas akuzave të drejtpërdrejta të ambasadorit të SHBA-së, Prokuroria e Përgjithshme u përgjigj me një deklaratë për shtyp ku e akuzonte përfaqësuesin amerikan në Tiranë se po ushtronte shantazh me pikëpamje “sorosiane”. Përplasja e fortë me ish-ambasadorin Donald Lu duket se i kushtoi ish-kryeprokurorit, jo vetëm mohimin e vizës për të dhe familjen e tij, por edhe nisjen e një hetimi më 15 mars të 2018-ës nën akuzën e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.
Tom Doshi, jo vetëm korrupsion, por edhe shkelje e të drejtave të njeriut
Në 30 korrik 2019, Departamenti i Shtetit njoftoi edhe ndalimin e hyrjes në SHBA për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, dhe anëtarëve të familjes së tij. Ashtu si në rastin e Doshit, edhe në rastin e Dakos, arsyeja nuk është vetëm korrupsioni, por edhe shkelja e të drejtave të njeriut. “Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Ligji po ashtu i jep të drejtë Sekretarit të Shtetit që vendimin ta bëjë publik, ose t’ia bëjë atë privatisht zyrtarit në fjalë. Në bazë të njoftimit të sotëm, Vangjush Dako, bashkëshortja e tij Alba Dako, djali Xhulio Dako dhe vajza e tij Kejsi Dako nuk lejohen të hyjnë në Amerikë. Vendimi i sotëm, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit, është një sinjal i fortë se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin në vende të tjera të botës”, thuhet në njoftimin e DASH. /A2 CNN/