Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes i ka liruar nga grumbullimi katër futbollistët e Prishtinës pas kërkesës të ekipit nga Superliga, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) të martën. Challandes ka lënë të lirë lojtarët, të cilët tashmë kanë nisur përgatitjet me skuadrën e Prishtinës për parakualifikimet e Ligës së Kampionëve.
“Me kërkesë të FC Prishtina dhe me qëllim të përkrahjes së klubeve tona për paraqitje sa më të mirë në garat evropiane, përzgjedhësi Bernard Challandes ka vendosur të lirojë nga grumbullimi i paraparë me Kombëtaren katër futbollistët e skuadrës kampione të Kosovës, e cila ka nisur përgatitjet për pjesëmarrje në parakualifikueset e Ligës së Kampionëve. Kërkesa e klubit ka ardhur pas publikimit të listës dhe disa ditë pasi FFK ua ka dërguar ftesat Gledi Micit, Endrit Krasniqit, Leonit Abazit dhe Lumbardh Dellovës, për dy miqësoret që do të zhvillohen në Antali kundër Guinesë dhe Gambisë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.