Ideatorët e platformës “Liria Ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë falënderuar të gjithëata që kontribuan në realizimin dhe mbarëvajtjen e “Marshit për Drejtësi”, për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Eliza Hoxha tha se dje ishte një ditë madhështore, në të cilën tërë Kosova u bashkua për historinë e saj.
“Dje ishte një ditë madhështore. Të gjitha rrugët dje quan në Prishtinë. Dje Kosova u bashkua për historinë e saj. Dje Prishtina ishte e vogël për me i përqafu zemrat e mëdha të qytetarëve tanë. Përulësisht faleminderit për të gjithë ju. Një falenderim i veçantë për ju media, për peshën dhe hapësirën që i dhatë marshit dhe mesazhit unifikues që përçuat”, shtoi ajo.
Hoxha theksoi se maturia e qytetaria e treguar dje ishte për t’u admiruar.
“Na kishte marrë malli me i pa krejt bashkë, me e pa rizigjimin e Kosovës me krejt ngjyrat e saj.
Por krejt kjo do të ishte e pamundur, pa vullnetarët që ndihmuan në organizim dhe mbarëvajtje, bashkë me Policinë e nderuar të Kosovës. Maturia e qytetaria e djeshme, ishte për t’u admiruar. Falminderit!”, tha Hoxha.
Në anën tjetër, Ismail Tasholli falënderoi bizneset, komunat, bashkësitë fetare dhe të gjitha grupet tjera shoqërore.
“Zemrën e madhe të bizneseve që gjithmonë kur është në pyetje UÇK-ja nuk kursejnë asgjë.
Afishet, bluzat, posterat, mesazhet, flamujt e çka jo tjetër, u bënë të mundura nga ata vetë. Faleminderit! Komunat e Kosovës, bashkë me kompanitë e transportit që i mundësuan gjihthësecilit të vijnë në Prishtinë dje. Faleminderit! Ky marsh e ky mesazh nuk do të shkonte tek të gjitha audiencat pa personalitetet me influencë kulturore brenda dhe jashtë Kosovës. Falënderojmë edhe bashkësitë fetare, sportistë, klubet e sportit, tifozët, shoqatat e dala nga lufta, që nuk kursyen asgjë”, tha Tasholli.
Tasholli theksoi se “Marshi për drejtësi” ishte marshi ynë i dinjitetit qytetar.
“Familjarëve të Çlirimtarëve tanë, faleminderit që ishit dje me ne. Ky nuk ishte vetëm një marsh i rëndomtë, ky ishte marshi ynë i dinjitetit qytetar, që di të peshojë vlerat themeltare të saj. E Kosova më shumë se kurrë ka nevojë të jetë bashkë sot. Faleminderit!”, tha ai.