Limaj për vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Nuk ka qenë i pritur, por duhet ta respektojmë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se për të, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti ka qenë i papritur, shkruan Gazeta Stop.

“Nuk ka qenë vendim i pritur, por duhet ta respektojmë. Edhe ky aktgjykim do të jetë pjesë e debateve të juristëve, analistëve dhe atyre që e interpretojnë. Për momentin të gjithë duhet ta respektojmë atë aktgjykim”, ka thënë Limaj.

Ai ka shtuar se megjithatë, zhvillimet politike kohëve të fundit dërgonin në drejtim të zgjedhjeve të parakohshme.

“Politika e Kosovës nuk i ka kuptuar dy gjëra: Aktgjykimet Kushtetueses duhet të respektohen dhe ato aktgjykime duhet të marrin rrugë. Gjykata Kushtetuese na ka ndihmuar t’i bëjmë disa ndryshime të ligjeve. Në ndonjë rast këto aktgjykime e komplikojnë situatën, nganjëherë e thjeshtësojnë, prandaj ligjvënësit duhet të merren më këto çështje”, u shpreh Limaj.

Sipas tij, në këtë aktgjykim janë dy gjëra problematike. 

“Efekti retroaktiv, kur vije puna të votimi i qeverisë i jep veprim retroaktive dhe thotë se votimi s’ka qenë i drejt. Por kur vjen puna për vendimet e qeverisë, thotë se ato duhet të respektohen”, përfundoi Limaj në RTK.