Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shprehur indinjatë për mos-arritje të një marrëveshjeje për koalicion parazgjedhor ndërmjet partisë së tij dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Limaj, i ftuar në emisionin ‘Pressing’, ka thënë se për bashkëpunim politik mes dy fraksioneve kanë kërkuar edhe ish-udhëheqësit e kësaj partie, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, përpara se të shkonin në Hagë.
”Unë mendoj qe ka qenë iniciativë e z. Thaçi dhe z. Veseli të ndërtojë partneritet me PDK’në. Pasi ka ardhë vendimi i gjykatës (Gjykatës Speciale), kam filluar të shohë shenja, ka pasur zëra kundërshtues. Mua më vjen keq për mijëra votues që nuk u mundësua një partneritet i këtillë”, ka deklaruar ai në Pressing.
Tutje, ai ka thënë se ka pasur dy takime zyrtare me ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhaj, njëherit edhe kandidat për kryeministër, por pa ndonjë rezultat konkret.