Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një intervistë për gazetën “Blic”, ka thënë se me miratimin e Ligjit për Zyrtarët Publik, kryeministri Albin Kurti me çdo kusht po tenton ta çmontoj administratën publike në Kosovë.
“Ligji për Zyrtarët Publik është ligj që tenton ta ndërtoj prej filllimit qysh dëshiron Albin Kurti, pra t`i ndaloj nja 1 mijë e 600 pozicione udhëheqëse të njerëzve që kanë përvojë më shumë se dhjetë vjet”.
Krasniqi, përveç kësaj, s’mund ta besojë se në ligj është futur fjala “përshtatshmëri” e që sipas tij, i bie që kushdo që dëshiron të punësohet në adminsitratën publike do të vendos një komision i Lëvizjes Vetëvendosje, e jo mbi parimin e meritokracisë.
Prandaj, vlerësoi Krasniqi, “kjo ‘përshatshmëria’ ka ekzistuar dhe ekziston vetëm në sistemet diktatoriale”.
Ndryshe, edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për disa dispozita të Ligjit të ri për Zyrtarët Publik dhe njëkohësisht ka shprehur zhgënjimin që Kuvendi i Kosovës nuk i mori parasysh sugjerimet e tyre dhe ekipit të ekspertëve nga OECD/SIGMA.
“Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cënueshëm ndaj politizimit”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Shqetësimi i BE-së në lidhje me miratimin e Ligjit për Zyrtarët Publik është se nuk është në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Ligji për Zyrtarët Publikë, sipas shqetësimeve të BE-së, opozitës dhe shoqërisë civile, cenon punën e administratës publike dhe politizon zyrtarët publikë pasi që pranimi në detyrë i nëpunësve civil, mbështetet mbi baza partiake.
Kujtojmë se në seancën e fundit, pavarësisht thirrjeve të opozitës, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjin për Pagat.
Projektligji për Zyrtarët Publikë kaloi në lexim të dytë, ku 58 deputetë kanë votuar për, kurse katër kanë abstenuar ndërsa me 63 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër, votuan Ligjin për Pagat.