Ligji për Rimëkëmbje kaloi vetëm në lexim të parë, votohet sërish pas dy jave


Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike i cili u votua sot nga 64 deputetë, pritet të kalojë në lexim të dytë pas dy javësh. Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Express shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Në herën e shtatë që u hodh në votim, sot në Kuvendin e Kosovës kaloi Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Mirëpo, për të kaluar në lexim të dytë, shefi i deputetëve të LDK-së thotë se duhet të pritet dy javë.

“Unë kam propozuar që sot të bëhet edhe leximi i dytë me arsyetimin se të gjitha grupet dhe deputetët janë të gatshëm që të propozojnë ndryshimet e mundshme, ky propozim i imi duhet të përkrahet nga 2/3 e deputetëve të pranishëm (gjë që nuk ndodhi në seancë), mbetet që pas dy javësh ta kalojmë në leximin e dytë”, ka thënë Gashi.

Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, ndër të tjera, do t’u mundësonte qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.