Liga e Kampionëve fillon me superndeshje

Me ndeshjet Juventus – PSV dhe Young Boys – Aston Villa fillon edicioni 2024/2025 i Ligës së Kampionëve.

Formati i garës elitare evropiane për klube të futbollit ka ndryshuar shumë. Nuk ka më fazë grupore ku paraqiteshin 32 skuadra. Faza grupore është zëvendësuar me fazë të ligës, ku paraqiten plot 36  skuadra. Secila skuadër i luan tetë ndeshje në fazën e ligës, me tetë kundërshtarë të ndryshëm. Katër ndeshje secila skuadër i ka në shtëpi e katër në udhëtim.

Një xhiro do të zhvillohet përgjatë tri netëve, të martën, të mërkurën e të enjten.

Dy ndeshjet e xhiros së parë të fazës së ligës janë të martën prej orës 18:45. Juventusi vlerësohet favorit ndaj PSV-së, por nuk do ta ketë lehtë. Ndërkohë Aston Villa do të sfidohet në Bernë nga kampioni i Zvicrës, Young Boysi.

Në terminin prej orës 21:00 të martën janë katër ndeshje. Të gjitha priten me shumë vëmendje.

Real Madridi e fillon mbrojtjen e titullit ndaj Stuttgartit. Ndeshja zhvillohet në “Santiago Bernabeu”, ndërsa madrilenët pritet ta bëjnë hapin e parë drejt fazës tjetër.

“Trajneri i Stuttgartit, Sebastian Hoenes ka bërë punë fantastike edicionin e kaluar. Është ekip shumë i mirë, i organizuar dhe nesër mbrëma do të shohim ndeshje interesante. Ne kemi mbetur pa lojtarë të rëndësishëm si Kroosi, Nacho e Joselu. E kemi zëvendësuar Joselun me më të mirin apo njërin prej më të mirëve në botë. Mendoj se kemi ekip më të mirë se vitin e kaluar”, ka thënë trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti.

Te skuadra gjermane pranojnë se madrilenët janë favoritë.

“Duam të luajmë me trimëri dhe kuratë dhe të ofrojmë ndeshje të mirë. Kjo rrit gjasat për rezultat të mirë. Luajmë me respektin e duhur ndaj një kundërshtari me cilësi të jashtëzakonshme. Reali është fitues i Ligës së Kampionëve. Duam të befasojmë dhe të luajmë në Champions si në Bundesligë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të koncentruar. Besojmë se mund të shqetësojmë Realin kohë pas kohe”, ka thënë trajneri i Stuttgartit, Sebastian Hoenes.

Bayerni llogaritet favorit ndaj Dinamo Zagrebit, ndërsa ndeshje interesante pritet të jetë ajo mes Sportingut dhe Lillet.

Te Lille, Edon Zhegrova do të debutojë në Champions. Ai është paraqitur fuqishëm në ndeshjet e kaluara dhe pritet të jetë armë e rëndësishme e skuadrës franceze.

Adutët e saj i ka edhe skuadra portugeze.

Ndeshja kryesore e së martës megjithatë do të jetë ajo mes Milanit dhe Liverpoolit që zhvillohet në “San Siro” nga ora 21:00.

Milani ka shtatë tituj të Evropës, të fundit të fituar në vitin e largët 2007. Liverpooli i ka gjashtë trofe evropianë, të fundit në vitin 2019. Pra bëhet fjalë për dy skuadrat më të suksesshme, pas Real Madridit që i ka 15 trofe. Gjashtë tituj pos Liverpoolit i ka edhe Bayerni.

Milani e nisi zbehtë edicionin në Serie A, duke mos shënuar fitore në tri ndeshjet e para. Por të shtunën i përmirësoi përshtypjet me fitoren 4:0 ndaj Venezias.

Ndërkohë Liverpooli i kishte tri fitore rresht, por të shtunën pësoi 1:0 nga Nottinghami.

“Prej se kam firmosur me këtë klub kam imagjinuar të luaj ndeshje si kjo. Kjo ndeshje do të mund të ishte gjysmëfinale apo finale. Dëshira për të luajtur mirë dhe për të bërë tifozët krenarë është në nivelin më të lartë. Ndeshje si kjo futen në histori dhe ne mezi presim të dalim në fushë. Ne jemi shumë të motivuar”, ka thënë sulmuesi i Milanit, Alvaro Morata.

Liverpooli tani po drejtohet nga trajneri holandez, Arne Slot. Ai ka folur me respekt për Milanin. Ka thënë se skuadra italiane ka kualitet.

“Nuk jemi të frikësuar, por respektojmë gjithë lojtarët e Milanit. Kanë treguar që janë në formë me fitoren 4:0. Të frikësuar nuk është fjalia që do të përdorim. Por i respektojmë shumë”, ka thënë Slot në konferencë për shtyp.

Ai ka folur edhe për formatin e ri të Championsit.

“Çdo mbrëmje ka ndeshje të mirë. Për shembull të gjithë që e duan futbollin mezi e presin ndeshjen tonë. Është pozitive për njerëzit në shtëpi dhe për lojtarët”, ka thënë Slot.

Xhiroja e parë e Championsit vazhdon të mërkurën e të enjten me tjera ndeshje interesante.

Liga e Kampionëve

Faza e ligës – I

E martë

Young Boys – Aston Villa (18:45)

Juventus – PSV Eindhoven (18:45)

Milan – Liverpool (21:00)

Bayern – Dinamo Zagreb (21:00)

Real Madrid – Stuttgart (21:00)

Sporting – Lille (21:00)

E mërkurë

Sparta Praga – RB Salzburg (18:45)

Bologna – Shakhtar Donetsk (18:45)

Celtic – Slovan Bratislava (21:00)

Club Brugge – Borussia Dortmund (21:00)

Manchester City – Inter (21:00)

PSG – Girona (21:00)

E enjte

Feyenoord – Bayer Leverkusen (18:45)

Cërvena Zvezda – Benfica (18:45)

Monaco – Barcelona (21:00)

Atalanta – Arsenal (21:00)

Atletico Madrid – RB Leipzig (21:00)

Brest – Sturm Graz (21:00)