Liderët e partive opozitare në Kosovë thanë se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të bëhet duke mos cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Këto komente ata i bën gjatë një takimi që zhvilluan të martën me përfaqësuesin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se përkrah dialogun si mekanizëm për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.
“PDK mbështet dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues”, tha ai.
Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë nuk mund të arrihet pa rolin aktiv të SHBA-së.
“Kam ripërsëritur përkushtimin tonë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Haradinaj.
Më 31 janar, Escobar dhe Lajçak nisën vizitën e tyre në Kosovë, duke u takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.
Gjatë një konference për media, Escobar tha se SHBA-ja përkrah plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Vizita e diplomatëve perëndimorë nga 31 janari deri më 4 shkurt, do të zhvillohet edhe në Serbi. Kjo vizitë pesëditore ka për qëllim që të inkurajojë liderët e të dy shteteve për angazhimin e tyre në dialog.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar asnjë takim në nivel të lartë politikë që prej korrikut të vitit 2021.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur më 2011, dhe ky ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.