Liderë kosovarë dhe ndërkombëtarë kanë uruar Joe Bidenin, pas fitores në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka uruar Bidenin në emër të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se pret t’i forcojë miqësitë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të vazhdojnë punën së bashku.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh urimet e mia Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe Kamala Harris, për fitoren e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pres që të forcojmë edhe më shumë miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe të vazhdojmë punën tonë së bashku për njerëzit tanë dhe në shërbim të vlerave tona të përbashkëta”, ka shkruar Hoti në Facebook, raporton KOHA.
Në anën tjetër, lideri i VV-së dhe ish-kryeministri, Albin Kurti, i ka shprehur urime Bidenit, duke e quajtur si fitore historike. Kurti ka shtuar se udhëheqja e Bidenit është e nevojshme në Amerikë dhe në botë.
“Udhëheqja juaj është e nevojshme në Amerikë ashtu si në botë për të rivendosur besimin në demokraci, shtetin e së drejtës dhe dinjitetin njerëzor. Unë pres që të forcojmë marrëdhëniet tona”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Twitter.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa gjithashtu i ka shprehur urime Joe Bidenit. Ai e quajti mik dhe përkrahës të Kosovës.
“SHBA, bëri zgjedhjen e merituar. Demokrati Joe Baiden mori përkrahje te gjerë për President të shtetit më të fuqishëm në botë. Miku dhe përkrahësi i Kosovës! Pata rastin ta takojë dhe të bisedoj disa herë me këtë njeri të mrekullueshëm. Urime Amerikë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Nga liderët e partive politike, ka shkruar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ku ka uruar Joe Bidenin dhe nënpresidenten e parë femër, Kamala Harris.
“Të vazhdojmë bashkëpunimin tonë drejt forcimit të lidhjes strategjike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar ai.
Ne emër të qytetarëve të Kosovës, ushtruesja e detyrës së postit të presidentit, Vjosa Osmani, ka uruar Joe Bidenin për fitore, duke thënë se nën udhëheqjen e tij, demokracia e SHBA-së do të lulëzojë në tërë botën.
“Jam e bindur se nën udhëheqjen tuaj si president i Shteteve të Bashkuara dhe nga nënpresidentja, demokracia do të lulëzojë në Amerikë dhe në të gjithë botën”, ka shkruar Osmani.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kreut të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se presidenti Biden, mbetet një mik i madh dhe mbështetës i Kosovës së lirë dhe të pavarur.
“Presidenti i zgjedhur Biden ka qenë dhe mbetet një mik i madh dhe mbështetës i shkëlqyeshëm i Kosovës së lirë e të pavarur dhe i popullit të saj. Kjo është një fitore e vlerave Euro-Atlantike, lirisë dhe demokracisë, që janë shtyllat e Kushtetutës dhe aleancës sonë me SHBA-në”, ka shkruar Hoxhaj.
Gjithashtu, deputeti dhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, e ka quajtuar fitore të madhe atë të Bidenit, dhe ka shtuar se ai do të mbetet mik i Kosovës.
“Nga Kosova, ne urojmë mikun tonë, Joe Biden, i cili sapo ka fituar zgjedhjet dhe do të jetë Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Një fitore e madhe! Z. Biden është dhe do të vazhdojë të jetë një nga miqtë e mëdhenj të Kosovës. Ne gjithashtu urojmë Znj. Kamala Harris, gruaja e parë zëvendëspresidente e SHBA-së”, ka shkruar Pacolli.