Gjatë ditës së sotme Betimi për Drejtësi raportoi se kanë nisur hetimet edhe ndaj ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut.
U tha se Prokuroria Speciale, i ka zgjeruar hetimet lidhur me çështjen e ambalazhuesve të ujit.
Në këtë rast, Aliu u raportua se po hetohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Ky i fundit, u deklarua përmes një statusi në Facebook.
Kreu i MMPHI-së tha se njoftim zyrtar nuk ka pasur, por se për të autoriteti më i lartë është ligji.
“Po qarkullon në disa media një lajm se kanë nisur hetime ndaj meje. Unë njoftim zyrtar nuk kam patur, por dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe vetë prokurorinë se për mua autoriteti më i lartë është ligji, se punoj dhe angazhohem çdo ditë për respektimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre, dhe se për çdo çështje, çdo hetim apo çdo dyshim, jam i gatshëm të bashkëpunoj vetëm për drejtësi, sipas ligjit, deri në zbardhjen e plotë të çdo rasti”, tha Aliu.