Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2, Liburn Aliu, dhe të akuzuarit e tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Një deklarim të tillë, ministri Aliu dhe të akuzuarit e tjerë e kanë bërë në shqyrtimin fillestar të mbajtur këtë të premte në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Po ashtu, të akuzuarit Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi kanë mohuar fajësinë edhe për veprën penale “mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E kam kuptu aktakuzën. Nuk kam nevojë për sqarime shtesë. Jo nuk e pranoj fajësinë.”, ka thënë i akuzuari Aliu.
Pas deklarimit lidhur me fajësinë, gjykatësi i rastit Alban Ajvazi i ka njoftuar palët se brenda afatit 30 ditor ata mund të paraqesin kundërshtime për provat dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.
Shqyrtimi i dytë u caktua të mbahet më 7 qershor 2021, në ora 10:00. Shqyrtimit fillestar në këtë rast ishte caktuar të mbahej më 6 prill, mirëpo seanca ishte shtyrë në mungesë të të akuzuarës Bahtie Uka.
Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi. /BetimipërDrejtësi/