Intervistë e shkurtë me shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare (1936-2024)
Intervistoi: Luke Sampson / The Financial Times (intervistë e vitit 2010)
Përkthimi: Telegrafi.com
I lindur në Gjirokastër të Shqipërisë, në vitin 1936, Ismail Kadare fillimisht ishte i njohur për poezitë e veta, e para prej të cilave u botua kur ai ishte 12 vjeç. Në vitin 1963 u botua romani i tij debutues, Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Pallati i ëndrrave (1981), kritikë e fshehtë fine ndaj regjimit komunist, u ndalua menjëherë pas botimit. Kadare më vonë kërkoi azil politik në Francë (1990), pasi kishte dhënë deklarata në favor të demokratizimit. Librat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë. E ndan kohën e vet mes Francës dhe Shqipërisë.
Kush është lexuesi juaj i përsosur?
Lexuesi që pëlqen Dante Aligerin, por që nuk e lejon atë ta pengojë të shijojë Don Kishotin – ashtu sikurse leximi i Shekspirit nuk duhet të pengojë njeriun të lexojë Kafkën.
Çfarë hani kur shkruani?
Filloj të shkruaj vetëm pas mëngjesit, rreth orës 10:00. Duke qenë se nuk punoj më shumë se dy orë në ditë, pi kafe, por asgjë tjetër.
Për çfarë jeni më krenar për atë që keni shkruar?
Pallati i Ëndrrave. Është shkruar në vitin 1980 dhe është botuar një vit më vonë, në periudhën më të zezë të tiranisë shqiptare. Ishte libër kundër asaj tiranie.
Nga çfarë keni frike?
Kam krijuar një grup të veprave letrare gjatë kohës së dy sistemeve politike diametralisht të kundërta: një tirani që zgjati 35 vjet (1955-1990) dhe 20 vjet liri. Në të dyja rastet, ajo që mund të shkatërrojë letërsinë është gjëja e njëjta: autocensura.
Cilët libra janë në komodinën tuaj pranë shtratit?
Librat që në fakt nuk i hap, por prania e të cilave rrezaton diçka. Shpeshherë kjo ndjenjë është krejt ndryshe nga përvoja e leximit të tyre, gjë që kam mundur të bëj dikur. Por, është ndjesia për të cilën kam nevojë.
A keni rutinë për shkrimin?
Nga ora 10 e mëngjesit deri në mesditë, për çdo ditë. Në Paris punoj gjithmonë në të njëjtën kafene. Në Tiranë kjo është e pamundur, për shkak të kuriozitetit të njerëzve.
Cili libër ua ndryshoi jetën?
Makbethi. E lexova kur isha 11 vjeç. Edhe pse nuk mund të kuptoja gjithçka, më pëlqeu aq sa fillova ta kopjoj me dorë. Një vit më vonë, doja të bëja të njëjtën gjë me Hamletin, i cili megjithatë ishte edhe më i pakuptueshëm për mua.
Si relaksoheni?
Duke ecur. Në Paris ec nëpër Kopshtet e Luksemburgut, të cilat janë përballë shtëpisë sime. Në Shqipëri, në verë, në breg të detit.
Cilat janë ndikimet e juaja letrare?
Tre gadishujt e Evropës: Apeninet me Danten; Ballkani me tragjeditë greke dhe me baladat mesjetare shqiptare; dhe Gadishulli Iberik me Don Kishotin. Ishujt britanikë (Shakespeare). Letërsia ruse dhe e Evropës Qendrore (Kafka).
Kur e keni kuptuar se do të bëheni shkrimtar?
Kur isha 12 vjeç. Meqenëse ajo që shkrova ishte e pavlerë, ishte e lehtë ta mendoje veten si shkrimtar i rëndësishëm. Më vonë ishte e kundërta.