Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë, Ermir Lenjani mund ta vazhdojë kontratën me klubin zviceran, Sion. Kështu ka thënë për emisionin sportiv të KTV-së “Sporti Total” menaxheri i Lenjanit, Erdin Shaqiri.
“Është pak e veçantë situata e Lenjanit, sidomos me presidentin e Sionin. Kemi gjetur një dakordim deri më 31 qershor. Pasi të kalojë kjo situatë do të flasim edhe për vazhdim të kontratës ose për një klub tjetër. Ka interesim për të, por do ta shqyrtojmë çdo mundësi, nëse do ta vazhdojë apo do të largohet nga Sioni”, ka thënë Shaqiri.
Lenjani me Sionin ka kontratë deri në fund të muajit qershor. Por është raportuar se atij i është shkëputur më herët kontrata nga klubi zviceran. Pjesë e Sionit është edhe futbollisti tjetër shqiptar, Pajtim Kasami.