Lëkundja e koalicionit qeverisës – A është e gatshme LDK ta votojë një president të PDK-së?

Në takimin e Washingtonit, u pa mungesë stabiliteti në koalicionin qeverisës, së cilit i prin Lidhja Demokratike e Kosovës.

Çështje problematike u tha të ishte një pikë e marrëveshjes e cila pritej të firmosej në Shtëpinë e Bardhë, në prezencën e Presidentit amerikan Donald Trump.

Kjo nxiti reagimet e menjëhershme të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, përfaqësuesit e së cilit në takim ishin të pakënaqur me pikat e ujdisë që po firmosej mes palës kosovare dhe asaj serbe.

”Jemi të hapur për Departamentin e Energjisë së Amerikës, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku përfshihet edhe Serbia. Implikimet që mund të sjellë në të ardhmen, mund të jenë të pa përballueshme për Kosovën”.

”Përkundër faktit që kam biseduar me kryeministrin Hoti për ta hequr këtë pikë, nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ai dhe jemi të detyruar të mos e përkrahim këtë marrëveshje”.

”AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, kishte thënë Haradinaj më 4 shtator, njofton Klan Kosova.

Si pasojë Kosova rrezikonte të përballej edhe me një Qeveri të rrëzuar, meqë AAK nisi shantazh për largim nga koalicioni me LDK-në.

Megjithatë duket që problemi ishte thelluar më shumë meqë shqetësuese doli të jetë çështja e emrit të presidentit për të cilin subjektet partiake bashkëqeverisëse, pretendonin ta përvetësonin.

Kjo mund të çonte në gjah LDK-në, për të kërkuar një partner tjetër qeverisës.

Së fundi kreu i saj Isa Mustafa, tha se hoqi ”vijat e kuqe” edhe me PDK-në, për të cilën kishte shuar mundësitë të kishin një bashkëpunim tjetër qeverisës.

”Ajo çka unë kam thënë publikisht, është se vijat e kuqe ne të cilat i kemi vënë përpara ato vija të kuqe tani duhet t’i heqim edhe në situatën e tanishme por edhe kur të vijmë në zgjedhjet e ardhshme për arsye se shumë vështirë po mund të bëjmë zgjidhje”, ishte shprehur Mustafa.

Lidhur me këtë kreu i PDK-së, Kadri Veseli deklaroi duke ripërsëritur se subjekti që ai drejton, nuk ka pasur asnjëherë ‘’kryqe’’ për subjektet tjera shqiptare.

”Mos të bëjmë vija të kuqe me njëri-tjetrin për konsum elektoral”.

”Edhe gjatë fushatës kam bërë thirrje për këtë dhe nuk i takoj këtij kontingjenti. Unë asnjëherë nuk kam bërë vija të kuqe dhe mendoj se nuk duhet të bëjmë vija të kuqe”, u shpreh ai ditë më parë.

Por, nuk ishin deklaruar nëse LDK do t’ju kërkonte të bëheshin pjesë e koalicionit,  do të pranonin një ofertë të tillë ose jo.

Ndonëse ende pa vendim, një deklaratë tjetër nga po ky subjekt partiak buroi nga Sami Lushtaku, i cili tha se PDK bëhet pjesë e koalicionit vetëm nëse marrin presidentin ose kryeministrin.

”Për t’u bërë pjesë e pushtetit ne duhet ta marrim ose kryeministrin ose presidentin. Neve na vije keq për qytetarët që t’i çojmë në zgjedhje, edhe pse ne jemi shumë të gatshëm që të shkojmë në zgjedhje”.

Çështja e kandidatit për president mbetet akoma një dilemë, por është Kryeministri Avduallah Hoti i cili vjen nga radhët e LDK-së, ai që ka komentuar deklaratat e përfaqësuesit të PDK-së.

Nëse LDK-ja do të bënte kompromis për të votuar një president të PDK-së, Hoti nuk e mohoi një mundësi të tillë.

”Atë që mund të them është se kur të vijmë tek ajo pikë në shkurt, duhet të ulen të gjitha partitë politike, pa përjashtim”.

”Kjo për të siguruar 80 vota në Kuvend, e përtej kësaj për të arritur konsensusin rreth një emri që na përfaqëson mundësinë”, është shprehur ai.

Sipas tij, në deklaratën e dhënë pas inaugurimit të një rruge në Prizren, koaliconi qeverisës është duke funksionuar.

”Qeveria është duke funksionuar normalisht, shumica parlamentare është stabile. Po e realizojmë programin qeverisës me partnerët që kemi marrëveshje”, është shprehur ai, njofton Klan Kosova.

Derisa AAK insistonte ta merr postin e presidentit, është edhe Nisma Socialdemokrate që në një formë e sheh Fatmir Limajn ideal për president të vendit.

Kështu të paktën ishin deklaruar ditë më parë nga ky subjekt partiak përmes disa reagimeve.

Ndërsa vet Kreu i Nismas Fatmir Limaj ishte shprehur se çështja e presidentit është ende herët për tu diskutuar, njofton Klan Kosova.

Nga AKR gjithashtu i kërkohej Behgjet Pacollit t’i rrekej garës për president, por ky i fundit, e kishte cilësuar vetëm dëshirë.

”Kosova e ka Presidentin e saj kushtetues. Çdo variantë tjetër mbetët vetëm dëshirë por kursesi realitet”, ishte shprehur ai në një reagim.