Pas zërave të shumtë brenda partisë për lidership të ri shkaku i rezultatit të zgjedhjeve dhe pakënaqësive përbrenda, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është shprehur i qartë të shtunën.
Abdixhiku pas iftarit ka shkuar në Llap. Aty ka thënë se e mori mesazhin e qartë për të vazhduar me LDK-në.
“Sonte, pas iftari, qëndrova në Llap, mes njerëzve zemërhapur të kësaj ane. Plot mikëpritje, e përplot biseda të çastit me ata që u takuam sonte në një mbrëmje të zakonshme llapjane”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, mes njerëzve të Kosovës, aty ku buron dhe qëllimi politik. Mes mbështetësve tanë e jo vetëm, ku ndërtohet rrugëtimi ynë.
“Sa kënaqësi të shoh kërkesën e qartë dhe këmbëngulëse të njerëzve tanë për të vazhduar me plot insistim në rrugëtimin e përcaktuar të Lidhjes sonë. Kur zëri qytetar përputhet me angazhimin politik, ndihemi të plotësuar”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka insistuar se ky zë do të dëgjohet.

“Le të jetë ky dhe fillimi i Turneut të Falenderimit për të gjithë 171 mijë – dhe jo vetëm – mbështetësit tanë. Do të jem në gjithë Kosovën për të ju falenderuar sa më shumë; e për të lidhë fort e ngushtë secilin hap tonin”, ka thënë ai.
Gjatë javës, deputeti Avdullah Hoti tronditi opinionin publik me qëndrimin se LDK-së i duhet lidership i ri.
Ai ka përmendur rezultatin e zgjedhjeve, renditjen e kandidatëve në lista për deputetë dhe favorizimin e disa prej tyre nëpër media, si disa prej arsyeve për udhëheqje të re brenda LDK-së.