Komiteti Teknik i Ekspertëve të shëndetësisë në Shqipëri vendosi sot të heqë orën policore, që ndalonte qarkullimin e qytetarëve pas orës 23:00, duke lehtësuar masat kundër coronavirusit në vend.
Sipas një njoftimi të Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në rrjetet sociale, komiteti teknik vendosi lehtësimin e masave për shkak se situata epidemiologjike paraqitet më e qetë.
Megjithatë, mbetet në fuqi paraqitja e pasaportës së vaksinimit dhe testit negativ PCR 72 orë para mbërritjes në Shqipëri, me përjashtim të fëmijëve deri në 6 vjeç.
Gjithashtu, vijon të mbetet në fuqi mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura dhe kufizimi deri në 30% të kapacitetit për grumbullimet në hapësirat e mëdha, si stadiume apo kinema.
Shefja e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive, Najada Çomo tha se shtrimet në spital nga 175 që ishin një muaj më parë, sot janë në nivelin e 50 personave.
“Gati 70% janë forma të rënda, 10% janë forma kritike. Të shtruarit janë të pavaksinuar. Kemi vdekje çdo ditë. Nëse do të ishin vaksinuar pa diskutim që numri i humbjeve të jetës do të ishte shumë më i ulët”, shtoi Çomo.
Sa i përket situatës epidemiologjike te fëmijët, shefja e departamentit infektiv në Spitalin Pediatrik, Gjerogjina Kuli tha se në javën e fundit ka një ulje të ritmit të shtrimeve.
“Kemi vetëm 7 fëmijë në spital. Këmbëngulim te vaksinimi te moshat mbi 12 vjeç, sepse janë vënë re ndërlikime për shëndetin dhe jetën nga infektimi me Covid-19”, tha ajo.