Qeveria e Kosovës ka vendosur në mbledhjen e së shtunës që t’i lehtësojë masat ekzistuese anti-COVID.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë me këtë rast se situata epidemiologjike me koronavirus është stabile, prandaj edhe është rekomanduar lehtësimi i masave.
“Situata epidemiologjike me COVID-19 është stabile, me ç’rast rekomandohet lehtësimi i masave ekzistuese”, ka thënë Kurti duke shtuar se me këtë lehtësohet jeta e qytetarëve të Kosovës në shumë aspekte.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se masat e propozuara me këtë vendim shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll.
“Jemi në situatë që të kërkojmë nga qeveria që t’i lehtësojmë masat që kemi pasur deri tash për COVID-19, masat e përcaktuar me këtë propozim vendim shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll”, ka thënë Latifi.
Masat e reja Qeveria do t’i bëjë publike më vonë gjatë ditës.