Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka braktisur atë që e ka prezantuar si Qeveri të shpresës, për të ofruar një qeveri tjetër me parti kah të cilat e drejtonte gishtin për krim e korrupsion.
Analistët thonë se me këtë ky subjekt politik është zhveshur nga viktimizimi dydekadësh, por edhe nga slogani për parti institucionaliste e me demokraci të brendshme, pasi kanë konsideruar se vendimmarrja më nuk bazohet në vullnetin e votuesve, por është koncentruar tek pak njerëz pa fuqi elektorale, shkruan KOHA.
Veprimet i ka ndërmarrë në kohën kur Kosova e kishte nisur luftën kundër virusit SARS-CoV-2, nga i cili prej më shumë se tre muajsh është duke vuajtur e gjithë bota.
LDK-ja inicioi mocion mosbesimi kundër Qeverisë së drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), 44 ditë pas bashkëqeverisjes me të. Pavarësisht se elektorati ia kishte premtuar partneritetin për një mandat, ajo e shembi koalicionin, pasi gjeti mbështetje tek partitë që e kanë bërë Qeverinë në mandatin e shkuar, e që ishin të rreshtuara në koalicionin PAN – Partia Demokratike (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate.
Tani LDK-ja ka pranuar kërkesën nga presidenti Hashim Thaçi për ta propozuar kandidatin për kryeministër, dhe ka marrë vendimin për bashkëqeverisje me shumicën e partive të PAN-it, por edhe me Aleancën Kosova e Re (AKR) dhe me subjektet politike të komuniteteve pakicë, më kryesorja prej të cilave është Lista Serbe (LS).