LDK refuzon takimin me Kurtin, Hoti kërkon Qeveri të re për t’u përballur me koronavirusin

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, e ka refuzuar kërkesën e Albin Kurtit për një takim mes liderëve të vendit për t’u përballur me pandeminë.

Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se Kryeministri i shkarkuar i ka ditët e numëruara në krye të Qeverisë prandaj s’mund të mbajë takime të tilla.

“Vlerësoj se nuk ka nevoje për tryeze politike me një Qeveri që i ka ditët e numëruara, e rrjedhimisht nuk mund të marrë kurrfarë zotimesh, dhe që dy herë radhazi e shkel Kushtetutën”, ka shkruar ai.

“Prandaj, edhe kjo tryezë që ka ftuar nuk shërben për asgjë. Sepse ai nuk është i gatshëm të punojë me të tjerët, siç u pa në 52 ditë të qeverisjes me qëndrimin e tij autoritar dhe vendimet arbitrare, që quan në ndërprerjen e bashkëpunimit me LDK dhe shkarkimin e tij”, ka shtuar Hoti.

Hoti ka folur edhe për masat e marra nga Qeveria, duke thënë se Kurti gjithçka kishte vendosur krye në vete.

“Masat për kufizim të lëvizjes janë marrë pa u konsultuar me askënd. Sa unë isha në Qeveri, personalisht i pata kërkuar të mos e nënshkruante atë vendim, sepse kishim dyshime për shkelje kushtetuese. Edhe pas aktgjykimit te Gjykatës Kushtetuese, ky ndërmori masa ne kundërshtim me atë aktgjykim si dhe masa për mbështetje për biznese prapë pa konsultim me askënd”, ka shtuar ai.

“Ne fakt, plot vendime te qeverise imponoheshin nga ai pa asnje konsultim paraprak, duke i kthyer ministrat ne makineri votimi. Pak humor, por eshte fakt se disa here me pare kane ardhur ministrat ne takimin e qeverise e mandej iu eshte shperndare agjenda e takimit”.

Ish-Zëvendëskryeministri i Parë ka thënë se duhet një qeveri që bashkëpunon me të gjithë për të tejkaluar sfidat ekonomike pas pandemisë.

“Prandaj, duhet te themelohet sa me pare një Qeveri e re qe nuk e shkel kushtetutën, qe është profesionale, komunikuese me te gjithë, me mentalitet demokratik, qe ndërton konsensus shoqëror, qe bashkëpunon me bizneset, akademinë, shoqërinë civile dhe ne veçanti me miqtë ndërkombëtare, për te tejkaluar krizën me pandeminë dhe për te rimëkëmbur ekonominë”.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK- ja. Këto dy parti lidhën koalicion, të cilin e pagëzuan si “Koalicioni i Shpresës”. Megjithëse negociatat për lidhjen VV-LDK zgjatën disa muaj, qeverisja zgjati vetëm 40 ditë. Kjo pasi VV s’pajtohej me qëndrimin e LDK-së për të hequr taksën pa vendosur reciprocitetin, s’pajtoheshin as për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Në këtë situatë, Albin Kurti, vendosi të shkarkonte Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili është edhe Nënkryetar i LDK’së me çka i dha edhe fund “koalicionit të shpresës”. Pas kësaj, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti u shkarkua nga më shumë se 2/3 e votave të deputetëve të Parlamentit.