Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka akuzuar Qeverinë Kurti se duke pasqyruar grafikat e tarifave të reja të energjisë elektrike kanë fshehur të vërtetën. LDK ka kërkuar që vendimi i ZRRE-së dhe i Qeverisë të shfuqizohet sa më parë, pasi është diskriminues për qytetarët.
Në reagimin e LDK-së thuhet se “propaganda është mjet i këtij pushteti të paaftë. Rritja rekorde e çmimeve të energjisë, si në asnjë vend tjetër në rajon e më gjerë, u provua të shpërfaqej si një rritje e lehtë”.
“Kryeministri, Qeveria e tij, na dhanë dje grafika përplot; por i dhanë për vetëm 1200 kWh konsum. Madje mburreshin me rritje prej 30%. Por s’vazhduan tutje këtë krahasim në përpjekje për të fshehur të vërtetën që s’fshihet dot në faturat e ardhshme”, thuhet në reagimin e LDK-së, transmeton Telegrafi
“Le të shohin qytetarët tanë pasqyrën e vërtetë që i pret për 1 vit rresht, nga fundi i këtij muaji deri në marsin e vitit 2023. Kushdo që ka paguar 90 euro deri dje, do të paguaj 130 euro sot; kushdo që ka paguar 100 euro do të paguaj 150. Kushdo që ka paguar 150 euro do të paguaj 240. Dhe këtu nuk përfshihen mbi 100 milionë euro të tjera, taksa tuaja, para tuaja, që do të digjen në subvencion të padrejtë”.
LDK thotë se kjo rritje, është pasojë e vonesës së reagueshmërisë së Qeverisë.
“Është pasojë e mos vullnetit të tyre për të shpërndarë barrën njësoj; e mbi të gjitha, është pasojë e apetiteve të tyre për të vjelë tatime edhe më shumë. Secili prej jush, përveç se do të paguani çmimin më të shtrenjtë të rrymës në rajon, do të paguani dhe TVSH më së larti për çdo kWh”.
“Vendimi i ZRRE-së dhe i Qeverisë duhet të shfuqizohet sa më parë. Ai nuk është i drejtë, s’merr për bazë përballueshmërinë, e mbi të gjitha është diskriminues ndaj qytetarëve tanë”, thuhet në reagim.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në mbledhjen e fundit ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se 800kWh.
Sipas ZRrE-së, të gjithë konsumatorët që shpenzojmë më shumë se kjo bllok tarifë do të paguajnë me dy çmime të reja. Vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrika ka hyrë në fuqi më 09 shkurt dhe do të zbatohet deri më 31 mars 2022.