LDK: Nuk ka termine të lira për vaksinim, rrezikojmë të shkojmë drejt mbylljes totale

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se Kosova po rrezikon të shkojë drejt mbylljes totale, kjo për shkak të rritjes së numrit të rasteve me virus. Teksa bëjnë të ditur se nuk ka termine të lira për vaksinim.

Sipas LDK-së, “mungesa e termineve e pushimet gjatë vikendeve – në gjendje alarmante të pandemisë – është shenjë se Qeveria s’ka as idenë e as vullnetin të bëjë më mirë”.

Reagimi i plotë i LDK-së:

Situata me Pandemi jashtë kontrollit të Qeverisë

Në kohën kur numri i rasteve me Covid ishte i vogël e termine për vaksinim kishte mjaft – Qeveria nuk bëri asgjë për të sensibilizuar opinionin për rëndësinë jetike të vaksinave.

Sot, kur janë shënuar mbi 1000 raste të infektimit, dhe gjendja është alarmante – nuk ka termine të lira për vaksinim.

Vetëm 10% e popullsisë së Kosovës janë të vaksinuar, sot. Jemi të fundit në Evropë. Mungesa e termineve e pushimet gjatë vikendeve – në gjendje alarmante të pandemisë – është shenjë se Qeveria s’ka as idenë e as vullnetin të bëjë më mirë.

Kosova, po rrezikon të shkojë drejt mbylljes totale, për shkak të keq menaxhimit të sistemit të vaksinimit dhe për shkak të dështimit në sensibilizimin e popullatës për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e vaksinimit.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron që një mbyllje tjetër eventuale për shkak të rritjes enorme të numrit të rasteve me COVID-19, do të ishte fatale për ekonominë e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për masat e reja anti-COVID, ndërsa në konferencë u tha se termine të lira nuk ka për shkak se pas rritjes së rasteve është rritur edhe interesimi i qytetarëve për vaksinim.