LDK për të parën herë është në opozitë në komunën e Podujevës pasi humbi zgjedhjet e fundit, të cilat e nxorën Shpejtim Bulliqin e Vetëvendosjes fitues.
Pasi ky i fundit mori pozitën, dega e LDK-së së kësaj komune po e akuzon atë për punësime të militantëve partiakë, njofton Klan Kosova.
Në një deklaratë, LDK e Podujevës thotë se po kërcënohet demokracia dhe respekti i mendimit ndryshe, sipas saj, të kultivuar me vjet sa ajo ishte në pushtet.
“Ndonëse në fushatë premtonte mrekulli, punën e parë që e bëri në komunë ishte sulmi ndaj pavarësisë së shkollës shqipe. Në kundërshtim me ligjin, ai anuloi vendimet për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme të komunës sonë. Edhe pse zgjedhja e drejtorëve dhe konkursi ishin transparentë dhe konform legjislacionit në fuqi, Bulliqi e anuloi atë me qëllim të revanshit ndaj atyre që dëshirojnë të kryejnë punën me nderë, përgjegjësi dhe profesionalizëm”.
“Qëllimi i Bulliqit është i dukshëm dhe i qartë. Ai dhe partia e tij e re, e treta me radhë për tri vite, po synojnë që të cenojnë pavarësinë e shkollës shqipe duke tentuar të instalojnë në drejtori të shkollave militantë partiakë”.
LDK shton se llapjanëve iu mjaftuan pesë ditë, jo më tepër, për të parë “synimin e vërtetë të Bulliqit dhe partisë së tij”.
“Logjika e tyre politike është e bazuar në paranoja ndaj çdokujt që nuk i përkulet liderit të tyre. Ata nuk kanë koncept politik shërbimin ndaj qytetarëve, por përuljen dhe sundimin e tyre. Atyre nuk ju mjafton vetëm të jesh i dëgjueshëm, kërkojnë t’i nënshtrojnë qytetarët dhe këtë e kemi vërejtur edhe në 50 ditëshin e qeverisjes së tyre në nivel qendror”.
“Logjika që nëse nuk i bindesh liderit tonë je armik dhe tradhtar, nuk i përket kulturës politike as në Llap dhe as në Kosovë. Tendenca për të cenuar pavarësinë e shkollës shqipe është e dështuar”.
Dega e LDK-së në këtë njoftim i bën thirrje gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit në komunën e Podujevës që “të vazhdojnë të shërbejnë me nder dhe të mos bien pre e qëllimeve të Bulliqit dhe partisë së tij të re, për t’i nënshtruar ata, pasi që janë në pyetje vetëm tetë muaj deri në zgjedhjet e vjeshtës, kur LDK do të kthehet triumfuese në Podujevë”.