Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kërkuar që ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të shkarkohet menjëherë.
Kjo kërkesë e LDK-së vjen pas raportimeve të mediave sllovene për përfshirje në afera korruptive të Berishajt.
LDK, kërkoi që Prokuroria e Shtetit të zhivllojë hetime në detaje të qarkullimit të parasë së kompanisë së Berishajt, por që në hetime të përfshihen edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.
“Nëse vërtetohen transaksionet financiare të kompanisë së Ambasadorit Berishaj, ku përfshihen edhe transaksionet gjatë viteve 2020-2021 dhe 2022, kërkojmë hetim nga prokuroria e shtetit për z. Martin Berishaj për të konstatuar nëse ai ka konsumuar vepër penale sipas nenit 383 të Kodit Penal për “Deklarim të rremë nën betim”, kur ka dëshmuar pranë komisionit hetimor parlamentar me 17 nëntor 2022, ku kishte thënë për kompaninë e tij “MB Consulting” “se është firmë që e ka formuar në vitin 2017 dhe se e njëjta nuk funksionon nga viti 2020””, thuhet në komunikatën për media LDK-së, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, për LDK-në Qeveria Kurti është e zhytur në korrupsion që nga dita e parë e saj, dhe se sipas tij, korrupsioni i qeverisë ka shkatërruar edhe qelizën e fundit të besimit të qytetarëve në institucione por edhe reputacionin e shtetit në arenën ndërkombëtare.
“Rasti i fundit i Ambasadorit Berishaj ka dërguar mesazh të qartë në çdo cep të Botës se kjo Qeveri është e korruptuar deri në palcë dhe lufton ditë e natë, jo kundër korrupsionit dhe të korruptuarve, por krahpërkrah me korrupsionin dhe të korruptuarve. z. Berishaj nuk është një qytetar i thjeshtë dhe nuk është vetëm një Ambasador, ai është ndër themeluesit e partisë në pushtet dhe deri vonë ka qenë anëtarë i kryesisë së kësaj partie, pra njeri i rrethit të ngushtë vendimmarrës të saj”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, duke përmendur raportimet e gazetës sllovene “Prava.si”, LDK tha se sipas hulumtimit të këtij portali hidhen dyshime se përmes ambasadorit Berishaj është financuar fushata elektorale e Kurtit, nga paratë e komapnisë sllovene “GEN”.
“Pretendimet e tilla z. Berishaj i kishte cilësuar si shpifje dhe kishte paralajmëruar padi. Megjithatë shqetësimin tonë e rrit fakti se dje në medie u raportua se padia e Martin Berishajt ndaj mediumit “Planet TV” dhe gazetarit që raportoi mbi dyshimet për përfshirjen e tij në një aferë financiare, është hedhur poshtë nga Gjykata e Qarkut në Lubjanë, e cila tha se lënda ka pushuar pa efekte juridike”, thuhet tutje.