Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar të mërkurën se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ka miratuar unanimisht qëndrimin për zgjedhjet e parakohshme, duke thënë se së pari duhet të dorëhiqet kryeministri Albin Kurti, pastaj të bëhet shpërndarja e në fund të caktohet data e zgjedhjeve.
Në një njoftim në Facebook, LDK-ja ka bërë të ditur po ashtu se ka miratuar kuotën e ndarjes së nominimeve për listën e deputetëve nëpër degët e LDK-së. Në listat e kandidatëve për deputetë, është vendosur të jenë të gjithë kryetarët e komunave të LDK-së. “Kjo për arsye që e djathta të jetë sa më e fuqishme në zgjedhjet e ardhshme të Kosovës të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me fatin e LDK-së, por fatin e Republikës dhe gjeneratave që vijnë”, thuhet në njoftim.
LDK-ja ka thënë se është e gatshme për zgjedhjet kurdo që mbahen në Kosovë “prandaj është e vetmja parti që po bën të gjitha përgatitjet dhe po vazhdon takimet me qytetarë anë e kënd vendit”.
Për dallim nga LDK-ja, partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës është pajtuar me idenë që të ketë shpërndarje të Kuvendit dhe të caktohet data e zgjedhjeve, pa pasur nevojë për dorëheqje a shkarkim të Qeverisë.
Sikur LDK-ja ka vendosur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).